
Një operacion i gjerë policor po zhvillohet mbrëmjen e sotme në Sarandë dhe Ksamil, pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës.
Bëhet fjalë për efektivë të policisë, zyrtarë lokalë dhe biznesmenë të dyshuar për shkelje që lidhen me ndërtimet pa leje në zonat bregdetare.
Sipas burimeve, masat e sigurisë janë lëshuar për dhjetëra persona, mes tyre punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë, përfaqësues të pushtetit vendor, si edhe ndërtues e biznesmenë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Operacioni po zhvillohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në disa zona të qytetit të Sarandës dhe Ksamilit.
Deri më tani raportohet se janë ekzekutuar dy urdhër-arreste, një ndaj një efektivi policie dhe një tjetër ndaj një biznesmeni, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike nga autoritetet.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se aksioni lidhet me dyshime për favorizim të ndërtimeve pa leje dhe mosveprim nga ana e zyrtarëve përgjegjës në territorin bregdetar.
Ndërkohë, kontrollet dhe verifikimet po vijojnë për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim dhe ekzekutimin e plotë të masave të sigurisë të vendosura nga Prokuroria e Sarandës.

