
Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Milrinda Karçanaj u paraqit sot në SPAK ku qëndroi për vetëm disa minuta në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO.
Karçanaj u shfaq e vetme, ndërsa nuk tha asnjë fjalë për mediat. Kujtojmë se ish-drejtoresha ka qenë nën masën e arrestit shtëpiak, por Gjykata e Lartë lehtësoi masën e saj të sigurisë duke e lënë në detyrim paraqitje.
Së bashku me biznesmenët e shpallur në kërkim, Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, Karçanaj është në mesin e të pandehurve për skandalin me tenderat e AKSHI-t, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, duke manipuluar procedurat tenderuese, favorizuar kompani dhe ushtruar presion ndaj operatorëve konkurrues.
Më herët ajo ka pretenduar se jeton me qira, pretendim që u përsërit edhe nga kryeministri Edi Rama, por pas kontrolleve të SPAK është sekuestruar një vilë në Palasë e cila dyshohet të jetë e Karçanajt. Versus.al

