
Ditë më parë, gazetari investigativ, Artan Hoxha dorëzoi në SPAK një audiopërgjim të regjistruar më 21 janar 2011 mes punonjësve të Gardës para dhe pas vrasjes së 4 protestuesve.
Në studion e emisionit “Kjo Javë”, Hoxha ka thënë se SPAK do të thërrasë me radhë zinxhirin e ish-drejtuesve të lartë të shtetit asokohe, duke theksuar se nëse do të veprohet sipas hierarkisë atëherë fillimisht duhet marrë në pyetje ish-presidenti Bamir Topi duke vijuar më pas me ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha e madje dhe Edi Ramën i cili atëherë ishte kryetar i opozitës.
“SPAK do i thërrasë me radhë zinxhirin drejtues. U morën kallëzuesit, familjarët e të vrarëve. Janë marrë edhe dosje të tjera dhe janë bashkuar. Është një dosje për sabotim të hetimeve. Nëse do ndiqet hierarkia duhet të nisë nga thirrja e Bamir Topit, ish-Presidentit të Republikës. Pastaj të vazhdojë me Berishën, Bashën, drejtorin e policisë së asaj kohe, Burgaj, Ina Ramën, ish-kreun e SHIK Shaqiri dhe me radhë shërbimi i ushtrisë, kryeministri i sotëm Rama dhe organizatorët kryesorë të asaj proteste. Ajo që e dekonsipron është ajo që u publikua sot, ku ai thotë qëlloni protestuesit nëse hyjnë brenda gardhit. Por protestuesit janë vrarë jashtë gardhit”, tha ai.
Në një pjesë të audiopërgjimit të publikuar, në komunikimin mes gardistëve, komandanti asokohe Ndrea Prendi u ka bërë thirrje që të hapin zjarr ndaj kujtdo që tenton të kalojë telat me gjemba duke u thënë se ishte një urdhër që vinte nga lart. Versus.al








