
Ditën e sotme ka nisur konsultimi publik për draftin e Kodit Penal që ngjalli shumë diskutime në publik përsa u përket disa veprave të cilat klasifikoheshin si penale, mes tyre “tallja me figurën e kryeministrit apo presidentit”.
I pranishëm ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili theksoi se institucioni që ai drejton ka patur rolin e porosisë për një kod të ri penal dhe shtoi se puna kishte nisur që në 2019-ën. Ai tha se do të ketë 25 tryeza të konsultimit publik për draftin deri në fund të këtij viti.
“Kemi të bëjmë me një draft të Kodit Penal që ka marrë një kohë të gjerë për hartim. Sigurisht e thashë në fillim, roli ynë si ministri Drejtësie, ka qenë ai i porosisë së këtij drafti. Grupi i punës është asistuar nga sekretariati teknik. Do të vazhdojmë ta përmbushim këtë rol deri në ditën që drafti i kodit penal do të hyjë në procedurë parlamentare.
I kemi mbajtur të gjitha komentet, vërejtjet dhe diskutimet. Tashmë jemi në një fazë ku në mes të shtatorit dhe shtrirë në kohë deri në fund të vitit, ky draft do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik me 25 tryeza. Do të përfshihen tematika të veçanta të këtij kodi. Dua të konfirmoj qëndrimin tim si ministër, Shqipëria do ketë kod të ri penal vetëm pas një proesi diskutimi publik”- u shpreh Manja. Versus.al







