
Protestuesit e Rrjollit ishin edhe më të shumtë në numër ditën e sotme. Të revoltuar kundër përpjekjeve të biznesmenit Bashkim Ulaj për të ndërtuar një resort në pronat e tyre, dhjetëra banorë të fshatit shkodran thyen xhamat e eskavatorëve dhe kabinave të kompanisë ‘’Gener 2’’ në pronësi të ulajt dhe dëmtuan makinat e kompanisë private të sigurisë ‘’Breçani Security’’ e cila disa ditë më parë dhunoi fizikisht banorët.
Ditë më parë, familjes Malaj iu njoh e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 2.1 hektarësh në fshatin Rrjoll, zonë kufitare me vendin ku po ndërtohet resorti ‘’Blue Borgo’’.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite. Versus.al

