
Në seancën e sotme të dosjes “Plumbi i Artë” ka patur përplasje mes avokates së njërit prej të pandehurve dhe gjyqtares kryesuese Ëngjëllushe Tahiraj. Elda Zotaj, avokate e të pandehurit Altin Ndoci i cili akuzohet si pjesë e grupit që vrau 2 vëllezërit Haxhia në Durrës, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares kryesuese me argumentin se kjo e fundit u kishte rrëzuar kërkesat pa u konsultuar më parë me anëtarët e grupës gjykuese.
Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që të pandehurit Altin Ndoci të akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, t’i zëvendësohet avokatja duke arsyetuar se Zotaj me veprimet e kryera kishte si qëllim ndërprerjen e seancave. Po ashtu ka kërkuar që Zotaj të gjobitet dhe të njoftohet Dhoma e Avokatisë për veprimet e saj.
Si përfundim është marrë vendimi për zëvendësimin e avokates së Ndocit dhe shtyrjen e seancës për ditën e enjte. Versus.al







