
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme zonën e "Komunës së Parisit" në Tiranë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur pranë një kioske, në njërën prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit, te "Lulishtja", ku të shtëna të papritura kanë prishur atmosferën e zakonshme të asaj zone.
I plagosuri është identifikuar si Kristjan Kaçorri, një i ri 28-vjeçar, i cili ka marrë një plumb në këmbë. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku mjekët kanë njoftuar se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke u përpjekur të identifikojë autorin dhe të përcaktojë shkaqet që çuan në këtë akt të dhunshëm. Pasi është bërë këqyrja e vendngjarjes, janë siguruar prova dhe pamje filmike, të cilat pritet të ndihmojnë në hetimin e këtij incidenti. Po ashtu, pritet të merret edhe dëshmia e të plagosurit, për të sqaruar më tej dinamikën dhe shkaqet që çuan në këtë akt dhune.







