Kompanitë celulare vijojnë të mbeten problematikë sa i takon denoncimeve të vazhdueshme ndaj tyre për abuzim me paketat e shërbimit. Këtë herë një tjetër shqetësim për abuzim me paketat e shërbimit është ngritur nga pedagogu Ervin Goci.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai rrëfen eksperiencën e kaluar së fundmi në sportelet e kompanisë telefonike “Vodafone” ku kishte shkuar të rinovonte kontratën e shërbimit. Goci shkruan se kompania ia kishte paraqitur të njëjtën paketë si ‘ofertë’ por me çmim 15% më të shtrenjtë.
Duke e cilësuar si të tepërt monopolin që ka kapluar tregun e shërbimit celular, Goci hedh dyshimet se edhe AKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës bashkëpunojnë me këto kompani për atë që e cilëson “plan kooperativist për vjedhjen e shqiptarëve”.
Denoncimi i plotë:
Vajta sot për te bërë pagesën e muajit të Vodafone, kur ç'të shoh, që të dera farfurinin adezivet me të kuqe flakë ku plaseshin sihariqe për oferta të mëdha. Që kur e pashë, te hyrja, e mora vesh që diku fle lepuri. Sa nxjerr lekët, kur operatorja më thotë që në Qershor te mbaron kontrata dhe ke një ofertë të shkëlqyer nga 1630 që paguan sot në 1800. Pagesa normale me tha eshte 2300, po per ty si i shfrytezuar i vjetër do ta lëmë 1800. Sigurisht që nuk është nevoja të them se ç'hoqi ajo e shkreta që e kthen veten në altoparlant mashtrimi, po meqe keto gjera nuk ndodhin fshehtas, po e shtroj si çeshtje ne kete hapesire publike, si eshte e mundur që për të njëjtën shërbim, identic një ditë të bukur i teket që ta shtojë një 15% pa të keq fare dhe të ta shesë si ofertë?!
Si është e mundur që megjithëse kontrata ime është individuale, këto oferta plasin fiks kur më mbaron kontrata mua dhe besoj mijëra të tjerëve që janë në të njëjtën situatë. Mos ka një plan kooperativist që të vidhen me mijëra qytetarë shqiptarë me plan, një herë në vit apo në dy vjet? Shkalla e monopolizimit ka vajt atje ku nuk mban më, unë kam me Vodafone dhe internetin, nesër kushedi merr dhe energjinë elektrike. U bëj thirrje gazetareve, sidomos atyre që nuk kanë lidhur ushkurin financiarisht me Vodafone që ta hetojnë thellë kompaninë, por jo vetëm kompaninë, por dhe autoritetet e kapura publike që bashkëpunojne në krim, AKEP dhe Auroritetin e Konkurrencës.
Në shkurt të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës mori nën hetim paraprak kompanitë “One” dhe “Vodafone Albania” nën dyshimin se kanë krijuar një treg monopol dhe kanë rritur çmimin e paketave të shërbimit për qytetarët. Pavarësisht se ky hetim ka nisur prej muajsh, ende nuk ka asnjë rezultat konkret mbi këtë.
Prej vitesh qytetarët ankohen për çmime tepër të larta të paketave të shërbimit celular apo internet nga këto kompani, por nuk ka patur asnjë lloj reagimi nga ana e Autoritetit të Konkurrencës. Versus.al është interesuar për të mësuar sesi ky institucion i ka referuar ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, por nuk ka marrë përgjigjie. Versus.al







