
Në gjyqin për grupin kriminal të “Plumbit të Artë”, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani po vijon dëshminë e tij, këtë herë duke zbuluar detaje vërtet shokuese.
Mes të tjerash, ai zbuloi sesi arriti të lirohej nga qelia në 2013-ën pasi kishte qenë arrestuar për një sërë veprash penale. Vrasësi me pagesë Nuredin Dumani rrëfeu se avokati Alban Bengasi ka qenë ndërmjetësi gjatë lirimit të tij dhe shtoi se kishte patur ndihmë edhe nga dhëndri i vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë, asokohe Nasip Naço.
“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit që është mjek”.
Ndërsa zbuloi se kishte paguar 40 mijë euro, Dumani tha se një mjek ligjor kishte ndërhyrë për ta shfaqur atë sit ë sëmurë rëndë me zemër.
“Një mjek ligjor (smë kujtohet emri), që më bëri në gjendje të rëndë për të më liruar nga burgu. Mjeku ligjor mi bëri letrat sikur vuaj nga zemra”- u shpreh Dumani ndër të tjera.

Më vonë në 2019-ën, i njëjti avokat që ndihmoi Dumanin të lirohej nga qelia, i kërkoi këtij të fundit që të vriste ish-gruan e tij në këmbim të 120 mijë eurove pasi dyshonte se e kishte tradhëtuar me shokun e ngushtë. Dumani nuk pranoi të kryente krimin për shkak se e konsideronte pagesën tepër të ulët për një femër. Ndërsa avokati Alban Bengasi u arrestua pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë.
Në dëshminë e dhënë gjatë seancës së kaluar, Nuredin Dumani tha se lokali i bashkëpunëtorëve të tij Festim dhe Petrit Qoli frekuentohej nga politikanë dhe ministria, por nuk përmendi emra. Versus.al







