Banorët e Rrjollit në Velipojë vazhdojnë prej një muaji protestat kundër punimeve të resortit turistik “Blue Borgo”, duke pretenduar se kompania “Gener 2” po u grabit pronat private.
Situata u përshkallëzua dje kur përplasjet e banorëve me punonjësit e kompanisë çuan në thyerje të makinerive dhe pajisjeve pune.
View this post on Instagram
Kompania “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj, ka reaguar ashpër duke e cilësuar ngjarjen si “sulm kriminal të rrezikshëm”.
Sipas tyre, persona të paautorizuar kanë hyrë me forcë në kantier, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve, duke rrahur persona të pranishëm dhe duke dëmtuar makineri.
“Ky akt cënon investimet private dhe krijon precedent që dhuna të zëvendësojë gjykatat,” thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë.
“Gener 2” akuzon Prokurorinë e Shkodrës për mosreagim parandalues, duke thënë se mosveprimi i prokurorëve ka inkurajuar dhunën dhe i ka bërë ata “palë me dhunuesit”.
Kompania i bën thirrje Policisë, organeve të drejtësisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të identifikojnë autorët dhe nxitësit, duke paralajmëruar se “dhuna nuk do ta ndalë projektin”.
Reagimi i Gener 2:
Gener 2 dënon me forcë ngjarjet e ndodhura sot në Rrjoll, të cilat përbëjnë një akt të rëndë dhune ndaj rendit dhe ligjit në Shqipëri. Persona të paautorizuar kanë hyrë me forcë në kantier, duke ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve tanë, duke rrahur persona të pranishëm, thyer pajisje pune dhe dëmtuar makineri.
Ky është një sulm i rrezikshëm kriminal, që cënon jo vetëm një investim privat, jo vetëm klimën e investimeve në vend, por edhe krijon një precedent të rrezikshëm që dhuna mund të zëvendësojë vendimet e gjykatave, sulmet të zëvendësojnë dokumentet e ligjshme dhe turma mund të zëvendësojë dhe vendosë mbi institucionet.
Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësim serioz për mungesën e reagimit parandalues nga organet përgjegjëse, konkretisht nga Prokuroria e Shkodrës, e cila prej kohësh është në dijeni të tensioneve të krijuara artificialisht në zonë, por nuk ka ndërmarrë veprime të qarta për të frenuar përshkallëzimin për të mos ardhur në këtë moment.
Mosveprimi, në raste të tilla, kthehet në inkurajim të hapur të dhunës. Po aq përgjegjësi mbajnë edhe ata që prej ditësh kanë nxitur klimën e konfliktit, të ashtuquajtura portale që ushqejnë narrativa të pavërteta për interesa të errëta dhe politikanë shëtitës që shfaqen në terren vetëm për të ndezur situatën e konfliktit dhe për të kapitalizuar tensionin për qëllime të tjera.
Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë, të identifikojnë autorët, organizatorët dhe nxitësit e kësaj dhune dhe t’i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore, pa asnjë tolerancë.
Çdo individ që ka ushtruar dhunë brenda kantierit duhet të përballet me pasojat ligjore, MENJËHERË! I bëjmë thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të vihet menjëherë në lëvizje për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e prokurorëve që kanë nxitur vetëgjyqësinë, duke u bërë në një farë mënyre palë me dhunuesit.
I kërkojmë qeverisë që të garantojë sigurinë e investimeve të ligjshme dhe të parandalojë çdo vandal që përpiqet të imponojë dëshirat dhe pretendimet e veta, jo me dokumente dhe me akte ligjore, po me forcë.
Gjithashtu i bëjmë thirrje forcave serioze politike që të mos inkurajojnë dhunën dhe përdorimin e forcës në dëm të biznesit dhe investimeve, sepse jo çdo protestë ka legjitimitet. Në përfundim, shprehim vendosmërinë tonë se dhuna nuk do ta ndalë zhvillimin, intimidimi nuk do ta ndalë ligjin dhe projekti do të realizohet në përputhje të plotë me ligjin, pavarësisht se përveç baltës në terren duhet të përballemi edhe me baltën e shpifjeve dhe papërgjegjshmërisë që përpiqet ta pengojë.
Pretendimet e banorëve
Banorët e zonës kundërshtojnë punimet, duke u mbështetur në dokumentacion ligjor për 400 dynym tokë dhe një vendim gjykate të vitit 2006. Ata e quajnë ndërtimin një “grabitje pronash” nga “Gener 2”.
Projekti “Blue Borgo” shtrihet në 147.2 hektarë në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe Baks-Rrjoll, Shkodër. Më 31 dhjetor 2024, Bashkim Ulaj bashkë me vëllezërit Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e “investitorëve në strukturë akomoduese 5 yje” për resortin turistik në bregdetin e Velipojës.
Kompania thekson se projekti do të vazhdojë “në përputhje të plotë me ligjin”, pavarësisht “baltës në terren dhe shpifjeve mediatike”. Situata mbetet e tendosur, me banorët e vendosur të mos heqin dorë nga pretendimet për pronat e tyre./Versus.al


