
Të hënën në orën 17:00, partitë e reja kanë thirrur një protestë kombëtare për ngjarjen e ndodhur ditë më parë në Tiranë ku efektivi Azbi Spahiu u hodh nga kati i 11-të.
“Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit dhe “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt janë bërë bashkë këtë herë për të marrë informacione mbi ngjarjen të cilën e rrethon një lloj misteri për shkak se ndodhi një ditë pasi efektivi kishte arrestuar Martin Manen, djalin e biznesmenit Samir Mane.
Në një video të publikuar në rrjetin e tij social, kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen para ministrisë së Brendshme duke qenë se partitë e vjetra kanë heshtur për rastin, njëjtë si policia.
“Asnjë prej partive të vjetra nuk flet, qeveria hesht. Policia nuk flet për një anëtar të vetin. Çfarë i ka ndodhur, cilët janë ata që mund t’i kenë bërë presion duke e detyruar të hidhet nga pallati. Cilët janë ata që janë përgjegjës për këtë krim i cili për pak mund të shkonte në pasoja tërësisht tragjike. Të kërkojmë me çdo kusht të vërtetën dhe përgjegjësinë që nga shefat e policisë e deri tek oligarkët si ai Samir Mane”- shprehet Qori në videon e publikuar.
Mesazhi i fundit që efektivi 57 vjeçar kishte dërguar ishte ai në telefonin e djalit të tij të cilit iu shprehte se po përpiqeshin t’i shkatërronin karrierën me lojëra. Spahiu në orët e para të mëngjesit të 12 janarit, ka arrestuar Martin Manen pasi ky i fundit përplasi 2 makina të parkuara dhe refuzoi dy herë të bënte testin e alkoolit. Pak orë pas arrestimit, 28 vjeçari u lirua pasi prokurorja e cilësoi si të paligjshëm arrestmin, duke bërë që AMP të niste hetimet ndaj Spahiut për ekspertim të rremë. Versus.al







