Një ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi financiar ka çuar në arrestimin e një shtetasi dhe vendosjen e masës “arrest në shtëpi” për një tjetër, si dhe sekuestrimin e një hoteli në qytetin e Gjirokastrës.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka urdhëruar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin R.S., i cili dyshohet për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm për qëllime fitimi”, në kundërshtim me nenin 199/a/4 të Kodit Penal.
Ndërkohë, për shtetasin A.D., u caktua masa e “arrestit në shtëpi”, pasi dyshohet për veprën penale “Ekspertimi i rremë për qëllime fitimi”, të parashikuar nga neni 309 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se pavarësisht vendimit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Gjirokastrës për pezullimin e punimeve pa leje, R.S. ka vijuar ndërtimin dhe përfundimin e një objekti që është përshtatur si hotel.
Për pasojë, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin preventiv të pasurisë në fjalë – një objekt me sipërfaqe 247 m², i ndodhur në lagjen “18 Shtatori” të Gjirokastrës, në pronësi të shtetasit R.S.
Dyshohet se ndërtuesi R.S. ka ushtruar ndikim ndaj ekspertit A.D., duke e nxitur të hartojë një akt-ekspertimi të rremë, sipas të cilit punimet ishin prezantuar si të natyrës së brendshme, për të shmangur ndëshkimin ligjor dhe për të lejuar përfundimin e ndërtimit.
Ngjarja po hetohet në kuadër të procedimit penal nr. 556, i regjistruar më 3 nëntor 2023. Prokuroria ka theksuar se hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë.








