Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zbatuar një nga operacionet më të mëdha kundër krimit të organizuar në vend, të koduar me emrin “Qielli i thyer”, gjatë të cilit janë arrestuar 22 persona të dyshuar për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Sipas një komunikate të përbashkët, veprimtaria kriminale dyshohet se është organizuar dhe koordinuar përmes aplikacionit të koduar “SkyECC”, i përdorur më parë nga shumë grupe kriminale ndërkombëtare.
Operacioni u shtri në katër rajone kryesore të vendit – Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan – dhe mobilizoi rreth 600 zyrtarë policorë, që ndërhynë në 47 lokacione të ndryshme përmes bastisjeve të koordinuara.
Çfarë u sekuestrua në aksion:
Lëndë narkotike (sasi të pa specifikuara)
129 vetura
134.900 euro cash
20.040 franga zvicerane
490 dollarë
13.000 euro para të falsifikuara
9 orë dore luksoze
36 armë të llojeve të ndryshme
1.569 fishekë dhe 1.292 copë municione
Prese për paketimin e heroinës dhe kokainës
Laptopë, telefona, USB dhe dokumente të ndryshme
Po ashtu, janë ngrirë 400 mijë euro në llogari bankare dhe është vendosur urdhër ndalimi për pasuritë e paluajtshme të të dyshuarve.
Hetimi dhe ndikimi
Prokuroria thekson se ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar, që ndihmohet nga informacionet e dekriptuara nga rrjeti SkyECC, të përdorur më parë për zbërthimin e rrjeteve kriminale në vende të tjera europiane.
Operacioni “Qielli i thyer” pritet të pasohet nga zhvillime të mëtejshme, pasi hetimet mbi rrjetin e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe aktivitet ekonomik kriminal janë ende në vazhdim. /Versus.al/







