
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Thumanë ku pas konfliktit mes kushërinjve për pronat kanë mbetur të plagosur tre prej tyre.
Njëri prej të plagosurve rezulton të jetë punonjës policie. Sipas detajeve të zbardhura, mësohet se Fatos Sela dhe vëllezërit e tij kanë qenë duke kryer punime në një sipërfaqe toke e cila pretendohet edhe nga kushërinjtë e tyre.
Në vendngjarje mbërriti efektivi i policisë rrugore, Sahit Ahmetaj (Sela) i cili është përfshirë në konflikt me kushërinjtë e tij, të cilët i kishte edhe fqinj. Debati mes tyre ka agravuar deri në përdorimin e armës nga ana e policit i cili edhe pse ishte jashtë shërbimit, ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr drejt kushërinjve të tij duke plagosur dy prej tyre.
Këta të fundit i janë kundërpërgjigjur po ashtu me armë zjarri duke e lënë edhe efektivin të plagosur. Të tre ndodhen në spital ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Versus.al







