Shitet kompania e transmetimeve digjitale në Shqipëri, DigitAlb.
Deri më tani janë kryer shumica e veprimeve ligjore e tregtare.
Mësohet se kompania i është shitur biznesmenit nga Kosova, Shkëlqim Devolli. Ende nuk është kryer zbardhja e veprimeve në QKB, pasi kontratat janë me kusht në lidhje me pagesën.
Sipas informacioneve, është larguar administratori i kompanisë Eglinor Ramaj.
Në ditët në vijim pritet që në detyrën e administratorit të ri të DigitAlb të vijë Kushtrim Gojani, që do të shërbejë njëkohësisht si përfaqësues i biznesmenit Devolli.
CNA paralajmëroi edhe më herët këto ndryshime në pronësinë e kompanisë digjitale.
Dikur krenari për shqiptarët dhe kohën kur u shpalos, DigitAlb u kthye më pas në një gropë financiare me dhjetëra miliona euro borxhe.
Shkëlqim Devolli është një biznesmen i njohur nga Peja e Kosovës. Ai është përfolur shpeshherë për synimet për blerje në fushën e tregut mediatik në Shqipëri./CNA







