
Sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet ceremonia shtetërore për homazhet në nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare i cili ndërroi jetë mëngjesin e datës 1 korrik në moshën 88 vjeçare pas një arresti kardiak.
Të pranishëm pritet të jenë zyrtarë të lartë politike, akademikë, artistë shqiptarë por jo vetëm.
Që prej ditës së djeshme duke vazhduar edhe sot, flamuri i Shqipërisë valëvitet në gjysmështizë pas shpalljes së dy ditëve zi kombëtare për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe.
3 korriku është ditë zie edhe në Kosovë, me vendim të presidentes Vjosa Osmani e cila e kishte dekoruar Kadarenë me urdhrin "Hasan Prishtina".
Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh, bëri jehonë eshe në mediat ndërkombëtare pasi Kadare ishte i njohur botërisht për shkak të shkrimeve të tij shumë të suksesshme që u përkthyen në 45 gjuhë të ndryshme.
Ditën e djeshme, një reagim zyrtar erdhi eshe nga presidenti Emanuel Macron i cili në tetor të vitit të kaluar e dekoroi Ismail Kadarenë me legjionin e nderit të Francës. Ai e cilësoi shkrimtarin shqiptar si "frymëzim për shpirtin evropian". Versus.al







