
Irena Gjoka do të jetë gjyqtarja e Posaçme që do të vendosë nëse dosja për të cilën janë marrë të pandehur: Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho e Ema Çoku do të kalojë për gjykim apo do të pushohet.
Një tjetër mundësi është që gjyqtarja të vendosë t’ja kthejë SPAK-ut dosjen për plotësim hetimesh. Caktimi i Irena Gjokës për seancën paraprake është caktuar me short në Gjykatën e Posaçme.
Dosja ku janë përfshirë tre hetime, një për aferën CEZ-DIA, lobimi i LSI në SHBA dhe hetimi pasuror, i kaloi për gjykim GJKKO-së në fund të muajit gusht, ndërsa hetimet ishin mbyllur më 28 korrik.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërkohë mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Kreu i Partisë së Lirisë është i vetmi që mbahet në paraburgim që prej 20 tetorit të vitit të kaluar kur u arrestua në mes të Tiranës. Ai ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë me arsyetimin se hetimet janë përfunduar dhe se nuk ka asnjë mundësi që të ndikojë për prishjen e provave. Më 8 shtator Apeli i GJKKO do e shqyrtojë këtë kërkesë të Metës.
Emri i Irena Gjokës është tepër i lakuar për shkak se ka qenë edhe gjyqtarja që vendosi për arrestin shtëpiak të Sali Berishës duke pranuar kërkesën e bërë nga SPAK lidhur me dosjen “Partizani” duke qenë se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar detyrimin për t’u paraqitur.
Berisha ka akuzuar vazhdimisht Gjokën se ka fshehur dënimin e saj në Greqi dhe se ka përdoror 5 mbiemra të ndryshëm. Në qershor të këtij viti, Berisha u thirr në SPAK për t’u pyetur mbi padinë për fyerje që gjyqtarja kishte bërë ndaj tij. Shkak për padinë ishte bërë një deklaratë e Berishës ku kryedemokrati shprehej se gjyqtarja kishte marrë 500 mijë euro nga një eksponent i lartë i PS për të mos e futur nën akuzë për grup kriminal. Berisha tha para mediave se e kishte pyetur Gjokën nëse kishte patur bisedë me Alket Hysenin nga PS dhe se nuk e kishte bërë fakt të kryer këtë deklaratë të tij. Versus.al







