
Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar sot gjyqi për dosjen “Plumbi i Artë” ku i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani po dëshmon mbi krimet e kryera prej tij dhe bashkëpunëtorëve.
Në dëshminë e sotme ai zbuloi njohjen e tij me Aleksandër Bahon, krahun e djathtë të Endrit Alibejt. Ndërsa për Oti Kilën tha se kishte dashur ta godiste sepse Suel Çela i kishte thënë se ishte në anën e Çapjave.
“Aleksandër Bahon e njihja përpara Suel Çelës. Oti Kilën kam dashur ta godas, sepse sipas asaj që më tha Suel Çela ai ishte me Çapjat”, tha ai.
Ndërsa për atentatin ndaj Lulzim Mashës, drejtorit të shkollës private “Ëillson” Dumani thotë se porositësi ishte Suel Çela por shkakun ende nuk e di.
Pjesë nga seanca gjyqësore:
Sokol Hazizaj: Për vrasjen e mbetur në tentativë të Lulëzim Mashës, cili ka qenë shkaku?
Dumani: Porositësi ishte Suel Çela, shkakun nuk e di.
Sokol Hazizaj: Ka lidhje Arben Laze në tentativën e vrasjes së Lulëzim Mashës?
Dumani: Arben Laze nuk ka lidhje fare me ngjarjen e Lulëzim Mashës. Njohjen e parë me Suel Çelën e kam patur në 2021 nga Fatmir Troplini.
I akuzuari Enver Diva iu drejtua prokurorëve me tone të larta, duke i akuzuar për presion:
“A më paguajnë këta të mbyll gojën që të mos flas? Kam parë në televizor që duan të më fusin në regjimin 41-bis. E ka dhënë Top Channel,” – u shpreh Diva.
Prokurorët reaguan menjëherë duke sqaruar se nuk kanë bërë një kërkesë të tillë dhe se do ta verifikojnë pretendimin.
“Ne nuk kemi çuar asnjë kërkesë për 41-bis. Përpiqemi të mos shohim shumë televizor. Pretendimin do ta verifikojmë, por nuk ka asgjë të vërtetë deri tani,” u përgjigjën ata. Versus.al








