
Grupi më i zjarrtë i tifozëve të Kombëtares, Tifozat Kuq e Zi, ka reaguar me forcë përjashtimit të tyre nga stadiumi për ndeshjen Shqipëri-Serbi, përmes një mesazhi të qartë dhe simbolik:
“Na hiqni biletat, na vini përpara policinë – s’e vrisni dot zemrën që rreh për Shqipërinë”.
Ky ishte teksti i banderolës që TKZ shpalosi përpara ndeshjes, duke sfiduar hapur Federatën Shqiptare të Futbollit dhe vendimin për t’i mbajtur jashtë stadiumit për shkak të përplasjes së fundit mes dy palëve.
Edhe pse të përjashtuar nga Arena Kombëtare, tifozët kuqezi nuk do të heshtin. Ata kanë zgjedhur të mblidhen te Lulishte “Vëllezërit Frashëri”, përballë Piramidës, ku kanë vendosur një ekran gjigant për të ndjekur ndeshjen dhe për të dhënë mbështetjen e tyre.
Pak minuta para fillimit të sfidës, TKZ shpalosi një tjetër banderolë — këtë herë mbi Piramidë — me portretin e Elez Isufit dhe mesazhin tronditës:
“Hasmi i vjetër nuk bahet mik i ri.”
Një deklaratë e qartë, me tone të forta historike dhe emocionale, që përçon zemërimin e një grupi që prej vitesh e ka kthyer pasionin për Kombëtaren në një betejë për dinjitet. Versus.al







