Autoritetet kanë publikuar informacion të ri lidhur me operacionin e përbashkët të Policisë së Tiranës, Europol dhe autoriteteve kolumbiane, i cili goditi një grup që dyshohet se trafikon vajza latino-amerikane për prostitucion në Shqipëri, Ballkan dhe vende të tjera europiane.
Gjatë kontrollit në banesën në Kolumbi të Lucas Betancur dhe të babait të tij, autoritetet gjetën kode të Bitcoin dhe fatura të shumta, që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit.
Sipas përllogaritjeve, që nga janari i këtij viti janë transferuar mbi 1 milion euro, kryesisht nga Shqipëria dhe vendet e rajonit drejt Kolumbisë.
Në Tiranë, policia sekuestron disa banesa dhe hotele, të përdorura si “fole” për aktivitetin e prostitucionit. Ndër të arrestuarit:
Mirel Shperdheja, pronar i një agjencie pronash të paluajtshme, i cili kishte vendosur 15 banesa në Airbnb për përdorim në aktivitetin kriminal.
Ilmar Gugashi, pronar i një hoteli pranë Gjykatës së Lartë, që përdorej për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.
Dritan Suka, i cili komunikonte drejtpërdrejt me Lukas Betancur në Kolumbi dhe jepte banesa me qira për vajzat e shfrytëzuara për prostitucion.
Sipas Policisë, Lucas Betancur merrej me marrjen e kontakteve të vajzave, organizimin e udhëtimeve dhe akomodimin e tyre në Shqipëri, si dhe ushtronte presion dhe kërcënime ndaj tyre dhe familjarëve në Kolumbi për t’i detyruar të kryenin prostitucion.







