
Tiranë- Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Leonard Dukën, 37 vjeçarin i cili u ekstradua 3 ditë më parë nga Belgjika pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për vrasjen e Erigers Mihasit, anëtarit të “grupit” të Ervis Martinajt si dhe të Santiago Malkos. Në seancë, Duka nuk pranoi të jepte asnjë shpjegim duke zgjedhur të "kyçte gojën".
37 vjeçari njihet si kreu i klanit “Duka” dhe një ndër rivalët kryesorë të ish-bosit të lojërave të fatit Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit të kaluar.
Duka dhe Martinaj ishin ortakë prej vitesh në biznesin e lojërave të fatit, por u kthyen në armiq pas një konflikti mes tyre që u agravua kur njerëz të Martinajt morën peng dhe dhunuan të atin e Leonard dhe Erlis Dukës. Në bisedat mes tyre në aplikacionin "sky ecc' kishte pasur debate sa i takon likuidimit të parave që Leonard Duka pretendonte se Martinaj ia kishte borxh ndërsa ky i fundit i rrëfente se nuk kishte pasur kurrë në plan ta vriste por kishte marrë vesh nga dosjet e SPAK të publikuara në media se ishin ofruar 10 milionë euro për kokën e tij. Versus.al







