Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka njoftuar bllokimin e një sasie prej 18.3 tonësh mish pule që kishte hyrë në vend nga porti i Durrësit, i importuar nga Brazili.
Ngarkesa është marrë për analizë më 21 mars, ndërsa sot është vendosur bllokimi pasi është konstatuar prania e salmonelës në fileton e pulës së ngrirë.
AKU bën me dije se ka kryer inspektime në kompaninë që e ka sjellë mishin në vendin tonë, ndërsa materialet i janë dërguar prokurorisë së Tiranës për mungesë të saktësisë së informacionit.
“Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve”- njofton AKU.
Burime zyrtare kanë konfirmuar se për të hetuar këtë skandal, me short është caktuar prokurori Platin Aliçka. Ky i fundit pritet që brenda 15 ditësh, të regjistrojë procedimin penal. Organi hetues tregohet i rezeruvuar mbi emrin e kompanisë që futi këto produkte në vendin tonë.
Infeksioni i salmonelës mund të vijë nga një sërë ushqimesh, që nga frutat e deri tek arrorët. Zakonisht, ky bakter infekton më shumë mishin e pulës, viçit, shpendëve, qumështin dhe vezët. Nëse ju prekni një ushqim të kontaminuar me salmonelë dhe më pas prekni gojën me duar të palara, rreziku i infeksionit është më i lartë. Versus.al








