Mbrëmjen e djeshme, 15 vjeçari Erion Boba ndërroi jetë pas 10 ditësh qëndrimi në gjendje kome pasi kishte marrë disa plagë me thikë pranë zemrës, të shkaktuara nga 14 vjeçari me të cilin kishte patur sherr në rrjete sociale.
Sot banesa e familjes në lagjen e ish-Kënetës në Durrës qëndron e mbyllur pa asnjë person brenda saj përveç pronares së objektit e cila 3 vite më parë ua kishte dhënë me qira katin e parë të ndërtesës 2-katëshe.
Asnjë nga familja Boba nuk është kthyer në banesën me qira. Edhe tek gjyshërit nga e ëma të të miturit Erion Boba nuk ka njeri. Burime bëjnë me dije se trupi i të miturit do të prehet në Bulqizë atje ku familja jetonte deri para disa vitesh, por u shpërngul në Durrës për një jetë më të mirë dhe shkollim më të mirë për 3 fëmijët e saj.
Ky është rasti i disatë i përsëritur brenda një viti duke bërë që si pasojë e gjuhës së urrejtjes, të miturit në shkolla të humbin jetën. Ajo çfarë vihet re është një lloj ‘përgjumje totale’ e institucioneve shtetërore të cilat jo vetëm nuk po marrin masa urgjente, por as nuk po nxjerrin mësime nga ngjarje të tilla. Versus.al


