
Situata me zjarret në Delvinë vazhdon të përkeqësohet, me flakët që djegin me shpejtësi sipërfaqe të reja, për shkak edhe të temperaturave të larta dhe erës së fortë.
Zjarri masiv ka përfshirë fshatrat Vergo dhe Palavli të Delvinës, ku flakët kanë shkaktuar shkatërrim të konsiderueshëm duke djegur disa banesa dhe duke u afruar rrezikshëm pranë rrugës nacionale.
Situata nga vendngjarja duket apokaliptike, ndërsa zjarri që vazhdon prej disa ditësh ka dëmtuar rëndë edhe fshatin Senicë, ku janë përfshirë në flakë kisha shekullore e Shën Dhimtrit dhe katër shtëpi banimi.
Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile janë mobilizuar në terren për të kontrolluar dhe shuar flakët, duke u përpjekur me çdo kusht të parandalojnë përhapjen më tej të zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz të Bashkisë Delvinë, për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret që përfshijnë zonën.
Autoritetet bëjnë apel që të gjithë banorët të ndjekin me përpikëri udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë ngushtë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë mobilizuar për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronave të tyre.
Në operacionin e shpëtimit dhe kontrollit të zjarrit janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonën e Delvinës, ndërsa dy helikopterë të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore në rajonin e Beratit dhe Dimalit./Versus.al
View this post on Instagram







