AKTUALITET /

Vrasja e dyfishtë në Klinë, zbardhen detaje, Jon Hoti qëlloi pabesisht në lokaj, dy kushërinjtë Shlivova

Gjatë këtij takimi, thuhet në dosjen e prokurorisë, 19 vjeçari Jon Hoti në mënyrë të fshehtë dyshohet se kishte nxjerrë një armë zjarri dhe ishte kthyer nga dy viktimat e kishte shtënë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë që Rexhep e Albison Shlivova nuk kishin arritur t’u shpëtonin, duke humbur jetën.

Shkruar nga Versus

Vrasja e dyfishtë në Klinë, zbardhen detaje, Jon Hoti qëlloi

Përmes rrjeteve sociale Jon Hoti, më 13.11.2024 kishte lënë një takim me Rexhep e Albison Shlivova në një lokal në qendër të Klinës.

E gjatë këtij takimi, thuhet në dosjen e prokurorisë, 19 vjeçari Jon Hoti në mënyrë të fshehtë dyshohet se kishte nxjerrë një armë zjarri dhe ishte kthyer nga dy viktimat e kishte shtënë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë që Rexhep e Albison Shlivova nuk kishin arritur t’u shpëtonin, duke humbur jetën.

Kështu përshkruhet se ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë por që ende deri më tani nuk është zbuluar saktë motivi që shtyu të riun tashmë të dyshuarin kryesor, Jon Hoti të kryente veprën penale të vrasjes së rëndë.

Gjatë të enjtes (14.11.2024) ekipe policore janë të vendosura në afërsi të shtëpive të viktimave dhe të dyshuarit për shkak se raportet janë acaruar mes familjeve.

Këtë e mbështet edhe një deklaratë e njërit nga familjarët e viktimave që dyshohet se e kishte dhënë në spitalin rajonal të Pejës e që kjo u evidentua edhe në një raport të një zyrtari policor i cili ishte aty.

“Shteti ka dështuar komplet, s’ka lidhje që ma vranë djalin, se unë kam me nxjerrë gjakun pa u bo sabahu se mi kanë bo dy xhenaze”, përmendet se ka thënë familjari i viktimave gjatë kohës sa ishte në spital, raporton Kalllxo.com.

Jon Hoti pasi dyshohet se kreu krimin nuk ishte arrestuar në vendin e ngjarjes ndërsa tek pas disa orësh ai ishte dorëzuar te organet e rendit.

Avokati i Jon Hotit, në seancën për caktimin e masës së sigurisë kishte thënë se shpreh ngushëllime për rastin që kishte ndodhur.

“Shpreh ngushëllime më të sinqerta për familjen Shlivova, duke ndjerë keqardhje për rastin që ju ka ndodhur dhe situatën në të cilën gjendemi”, ka thënë avokati i të dyshuarit gjatë seancës.

Ai madje nuk e kishte kundërshtuar masën e sigurisë, atë të paraburgimit që kishte kërkuar Prokuroria Themelore në Pejë.

Edhe i pandehuri Jon Hoti në fjalën e tij kishte deklaruar se e mbështet fjalën e avokatit të tij që e përfaqësonte në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Prokuroria kishte propozuar edhe që të intervistohen persona të cilët janë të ndërlidhur me rastin në mënyrë që të zbardhet në detaje çka i parapriu vrasjes dhe cilat ishin mosmarrëveshjet mes viktimave dhe të dyshuarit.

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës (13.11.2024) në Klinë u raportua për të shtëna armësh brenda një lokali/kafene.

Dy persona kishin marrë plagë nga arma e zjarrit ndërsa për njërin u konfirmua vdekja në vendin e ngjarjes e tjetri vdiq më pas.

Ekipet policore kishin dalë në vendin e ngjarjes ndërsa nga Prokuroria në Pejë dy prokurore të krimeve të rënda i ishin përgjigjur ngjarjes.

Sipas informacioneve, gjatë të enjtes lidhur me këtë rast nga Prokuroria e Pejës është konfirmuar se kanë vendosur pika statike të policisë në fshatin ku gjenden të dy familjet me qëllim të mos përshkallëzimit të situatës më tutje.

“Prokurori i çështjes e ka vlerësuar që në fshatin përkatës ku gjinden edhe familja e viktimës dhe personit të pandehur të vendosen pika statike nga Policia e Kosovës si masa për mos t`u përshkallëzuar situata”, kishte thënë Nikçi.

 

Për rastin u deklaruan edhe prokurorja e Prokurorisë së Pejë, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala. /Kallxo

Poll