
Avokati i të dyshuarit për vrasjen e 14 vjeçarit M.Canit dhe plagosjen e L.Mecja pak metra nga shkolla ‘Fan Noli’ i është drejtuar me ankim gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Avokati ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ duke renditur dhe argumentet e tij të cilat ende nuk janë bërë publike.
Në kuadër të hetimit, i mituri M.P, është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes në një seancë maratonë që ka zgjatur afro 8 orë. Detajet e dëshmisë që 14-vjeçari ka dhënë në ambientet e prokurorisë së Tiranës mbahet në sekret të plotë. Ndërsa mësohet se autori i dyshuar i krimit është ballafaquar me disa nga të miturit të cilët kanë qenë të pranishëm në ngjarje.
Prokuroria po vijon hetimet për të hedhur dritë mbi mekanizmin e vrasjes së M. Canit dhe plagosjen e mikut të tij, Luisit. Në vazhdën e këtyre hetimeve është bërë edhe ballafaqimi mes të plagosurit Luis Mecja dhe kushëririt të tij të parë që ka qenë i pranishëm.
Kjo për faktin që Mecja pretendon për një autor të dytë të dyshuar, ndërsa kushëriri i tij ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, mos identifikuar asnjë të mitur tjetër që të ketë patur thikë në vendngjarje.








