Policia e Matit ka shoqëruar katër persona si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet pranë liqenit të Shkopetit.
Të shoqëruarit ishin persona që më parë kishin pasur konflikte me viktimën, por gjatë marrjes në pyetje kanë deklaruar se problemet me të i kishin zgjidhur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Pas disa orësh dëshmi, ata janë liruar nga policia.
Ekspertiza paraprake ka zbuluar se Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. Hetimet janë përqendruar në disa pista, përfshirë konfliktet personale që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë vendit.
Burime hetimore bëjnë me dije se Dobra ishte deportuar disa muaj më parë nga Gjermania, ku dyshohet se ka qenë i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Dyshohet se këtë aktivitet mund ta ketë vijuar edhe pas kthimit në Shqipëri, në qytetin e tij. Në vendin tonë, 23-vjeçari nuk rezulton me precedentë të rëndë penal, por ka qenë i hetuar më parë për vjedhje banesash./Versus.al







