Një pistë e re hetimore ka dalë në dritë në lidhje me vrasjen tragjike të Hekuran Cumanit, të riut shqiptar 23-vjeçar, i cili humbi jetën dje në orët e para të mëngjesit, pas një sherri të dhunshëm pranë Universitetit të Perugias.
Sipas burimeve të Prokurorisë së Perugias, hetimet janë fokusuar tashmë te prania e një personi të tretë, i cili dyshohet se ka mbërritur në vendngjarje pasi sherri kishte nisur dhe ka sjellë me vete armën e krimit, një thikë, me të cilën më pas u godit për vdekje Cumani.
Kjo pistë përforcohet nga dëshmitë e dhëna nga të rinjtë e përfshirë dhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë lëvizjet e ndryshme të disa personave në dhe rreth vendit të ngjarjes, disa minuta para goditjes fatale.
Një sherr që nisi për arsye banale
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit së shtunës, në parkingun përballë Departamentit të Matematikës dhe Informatikës në Perugia. Sipas të dhënave paraprake, një sherr banal që kishte nisur brenda një diskoteke u përshkallëzua jashtë saj, duke përfshirë dy grupe të rinjsh.
Ndonëse në fillim u dyshua për përfshirje të grupeve kriminale, Prokuroria ka përjashtuar çdo lidhje me bandat, duke e cilësuar ngjarjen si një përplasje mes të rinjsh pa precedentë penalë, që përfundoi tragjikisht.
Hekuran Cumani u godit me thikë në pjesën e sipërme të trupit, plagë që rezultoi fatale pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën. Vëllai i tij, i cili ndodhej në vendngjarje, ka marrë lëndime të lehta, por nuk ka ofruar informacione vendimtare për autorin.
Thika e krimit nuk është gjetur
Deri më tani, asnjë person nuk është ndaluar apo arrestuar, ndërsa arma e krimit, thika, nuk është gjetur, çka ka vështirësuar më tej identifikimin e autorit.
Prokuroria ka marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë, përfshirë edhe punonjësit e lokalit ku nisi konflikti, ndërsa këqyrja e kamerave të sigurisë është në vijim. Burime nga hetimi bëjnë me dije se një nga personat e përfshirë në sherr është larguar dhe është rikthyer pak minuta më pas, me thikën në dorë.
Kjo pritet të jetë prova kyçe për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit të vrasjes.
Reagimet
Ngjarja ka tronditur jo vetëm qytetin e Perugias, por edhe atë të Fabrianos, ku jetonte viktima bashkë me familjen e tij. Reagimet e autoriteteve kanë qenë të menjëhershme dhe të forta.
Stefania Proietti, presidente e rajonit Umbria, deklaroi: “Është e dhimbshme dhe e papranueshme që një jetë kaq e re të shuhet në këtë mënyrë. Dhuna nuk mund të normalizohet.”
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Fabrianos, Daniela Ghergo, u shpreh: “Kjo është një dhunë barbare që na trondit të gjithëve. Një tragjedi e cila kërkon drejtësi të menjëhershme.”
Prokuroria e Perugias ka marrë në dorë hetimin dhe ka ngritur një grup të posaçëm, që po punon me intensitet për të dokumentuar ngjarjen dhe për të identifikuar autorin apo autorët.







