AKTUALITET /

Vranë të riun pas sherrit në rrjetet sociale, kërkohet dënimi me 37 vite burg për dy kushërinjtë

Njëri prej dy autorëve është ende në moshë të mitur.

Shkruar nga Versus
Vranë të riun pas sherrit në rrjetet sociale, kërkohet
Viktima, Grei Bihuci

Fier- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Florian dhe Klajdi Mukës, dy kushërinjtë të cilët akuzohen për vrasjen e Grei Bihucit në vitin 2024.

Për Florian Mukën, prokuroria kërkon dënimin me 25 vite burg për vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim dhe dënim me 12 vite e 6 muaj burg për Klajdi Mukën i cili është i mitur. 

Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 mars 2024 në lagjen "Kongresi i Përmetit" ku të rinjtë kishin lënë takim për t'u sqaruar pas një sherri që kishin patur në rrjetet sociale. Me të mbërritur në vendngjarje, viktima Grei Bihuci, 19 vjeç, u godit me thika nga të dy kushërinjtë dhe për pasojë humbi jetën. 

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit F.M. dhe K.M. për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 382 të vitit 2025, rezultoi e provuar se, në datën 11.03.2024, rreth orës 11:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Fierit, gjatë një takimi për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur ditë më parë dhe të publikuar në rrjetet sociale, të pandehurit F.M. dhe K.M., të cilët kanë pasur me vete armë të ftohta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur viktimën G.B., duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi  Deklarimin fajtor të të pandehurit F.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 të Kodit Penal dënimin e tij me 25 vjet burgim. Si dhe deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin K.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 dhe 51 të Kodit Penal dhe 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 12 vjet dhe 6 muaj burgim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit. Versus.al

 

Poll