Ditën e sotme ka nisur rinumërimi i kutive të votimit për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës. Rinumërimi do të bëhet për partitë dhe për kandidatët, ndërsa votat e diasporës nuk do të jenë pjesë e këtij procesi.
Fillimisht ka nisur rinumërimi për Kamzën, ndërkohë që i gjithë procesi për rinumërimin e 1282 kutive të votimit pritet të zgjasë deri në 10 ditë. Më pas do të vijohet me rinumërimin e kutive në qarkun e Fierit (578) dhe në Durrës me 360 kuti, 85 prej të cilave janë të diasporës.
Katër parti politike, PS, PD, Mundësia dhe Shqipëria Bëhet do të kenë vëzhgues për monitorimin e procesit, ndërsa për Lëvizjen Bashkë nuk u lejua diçka e tillë me argumentin se nuk është palë interesi.
I vetmi mandat që mund të vihet në dyshim në Tiranë është ai i partisë “Mundësia” që deri më tani ka siguruar 2 deputetë për në legjislaturën e ardhshme. Nëse partia e kryesuar nga Agron Shehaj humbet mandatin e dytë, ky mandat i kalon PD-së duke e bërë me 14 deputetë në kryeqytet. Në mënyrë që një gjë e tillë të ndodhë, do duhej që nga rinumërimi të dalin 1200 vota në favor të PD-së, ose “Mundësia” të humbasë 117 vota. Versus.al







