AKTUALITET /

29 vite pa shkelur në Shqipëri, Artur Shehu për tokën që do shesë në Zvërnec: Kam 460 ha! Investitorët nuk i njoh

Shkruar nga Versus

29 vite pa shkelur në Shqipëri, Artur Shehu për tokën

Biznesmeni Artur Shehu, emri i të cilit është lakmuar shpesh edhe mes politikanëve, por edhe si person me precedentë penalë në të shkuarën, ka folur për herë të parë për çështjen e tokës së tij në Zvërnec, gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ndërkohë që shitja e pronës te investitorët është bllokuar nga SPAK, Shehu deklaroi se nuk ka asnjë problem me hetimet dhe se prokuroria është e lirë të verifikojë dokumentacionin.

“Unë jam një nga pronarët e tokës në Zvërnec. 460 hektarë janë të fisit tonë. Me certifikatë pronësie kemi rreth 253 hektarë. Prona jonë është e padiskutueshme. Do të vijë avokati im aty që t’ua shpjegojë. Është pronë e vjetër dhe jo e blerë.

SPAK-u ka punën e vet. Le ta verifikojë. Puna ime është të sjell dokumentet dhe ata le t’i shohin. Investitorët nuk i njoh fare. Kam ndërmjetës.

Takim në Aruba? Absolutisht jo. Kjo nuk ka lidhje as me ministra dhe as me kryeministra. Është komplet fake news.

Takim? Absolutisht jo. Avokatin e kam gati dhe le të flasë me SPAK-un. Kam 29 vjet pa ardhur në Shqipëri. Kam azil politik në Amerikë. Më pëlqen paneli që keni sot aty, sidomos Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj, që janë vlonjatë. Ju kam shumë xhan”, tha Shehu.

Poll