
Travis Decker, i akuzuar për vrasjen e tre vajzave të tij të mitura, kishte kërkuar në internet mënyra për të shpërngulur në Kanada vetëm disa ditë para krimit tragjik.
Sipas një dosjeje të U.S. Marshals, siguruar nga Fox 13 Seattle, Decker kishte kërkuar në Google shprehje si “si të shpërngulesh në Kanada” dhe më 26 maj kishte vizituar një faqe punësimi në shtetin fqinj.
Autoritetet dyshojnë se ai ka tentuar të arratiset drejt Kanadasë, pasi trupat e vajzave u gjetën afër kufirit kanadez, vetëm 18 km larg nga Pacific Crest Trail, një shtigje malor që të çon direkt në Kanada.
Kërkimi për Decker vazhdon me intensitet, ndërsa ai është shpallur në kërkim për tre akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një për rrëmbim, pas zhdukjes dhe më pas gjetjes së trupave të vajzave të tij: Paityn (9 vjeç), Evelyn (8) dhe Olivia (5).
Tre fëmijët u panë për herë të fundit më 30 maj gjatë një takimi të planifikuar me babain e tyre. Alarmi për zhdukjen u dha më 31 maj, ndërsa tragjedia u konfirmua më 2 qershor, kur autoritetet gjetën trupat e pajetë.
Sherifi i Chelan County, Mike Morrison, deklaroi:
“Po e kërkojmë në çdo drejtim. Ai është i rrezikshëm, veçanërisht për shkak të përvojës së tij ushtarake.”
Ndjekja ndaj tij vazhdon, ndërsa policia i bën apel publikut që të mos afrohen nëse e shohin, por të kontaktojnë menjëherë autoritetet.







