
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se operacioni ushtarak në rajonin e Kurskut të Rusisë kishte për qëllim krijimin e një zone sigurie për të parandaluar sulme të mëtejshme nga Moska në kufi.
Kjo ishte hera e parë që presidenti ukrainas ka deklaruar qartë qëllimin e operacionit, i cili filloi më 6 gusht.
Në komunikimin e tij të mëparshëm, Zelensky kishte lënë të kuptohet se operacioni kishte për qëllim mbrojtjen e komuniteteve në rajonin kufitar të Sumy nga sulmet e vazhdueshme të artilerisë.
Në fjalimin e tij të natës vonë të dielën, Zelensky theksoi:
“Detyra jonë kryesore në operacionet e mbrojtjes tani është të shkatërrojmë sa më shumë që të jetë e mundur aftësitë ushtarake të Rusisë dhe të kryejmë sa më shumë kundërsulme të jetë e mundur. Kjo përfshin krijimin e një zone sigurie në territorin e agresorit – operacionin tonë në rajonin e Kurskut”.
Deri më tani, Kievi ka thënë pak për qëllimet e avancimit të tij në Rusi me tanke dhe mjete të tjera të blinduara, që është ofensiva më e madhe në vend që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan Guardian.
Ukrainasit depërtuan thellë në rajonin e Kurskut nga shumë drejtime, duke hasur pak rezistencë dhe duke mbjellë kaos dhe panik ndërsa dhjetëra mijëra civilë u larguan nga zona.
Shefi i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrskyi, pretendoi javën e kaluar se forcat e tij kishin avancuar 1000 kilometra katrorë në rajon, megjithëse nuk është e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur se sa territor kontrollojnë aktualisht ukrainasit.
Zelensky, duke folur për krijimin e një zone sigurie, tha se forcat ukrainase "arritën rezultate të mira dhe të nevojshme".
Instituti për Studimin e Luftës vuri në dukje se operacioni ukrainas në Kursk kishte avancuar 800 kilometra katrorë në gjashtë ditët e para.
Ky inkursion goditi kryesisht pozicionet ruse të mbrojtjes kufitare të papërgatitura, të pajisura dobët dhe me staf të pamjaftueshëm, tha instituti amerikan në raportin e tij ditor mbi konfliktin.
Ukraina vazhdoi të bëjë përparime të shpejta në Kursk pas vendosjes së përforcimeve ruse në rajon, shtoi raporti.
Të dielën, Ukraina njoftoi se kishte goditur një urë të dytë kyçe në rajonin e Kursk, duke kërkuar të ndërpresë linjat e furnizimit të Moskës.
???? Kursk Offensive: Ukrainian forces destroyed a key bridge over the Seim River in Glushkovo. This essentially cuts off Russian reinforcements from a huge area in Kursk region. pic.twitter.com/NAkClz2qya
— Igor Sushko (@igorsushko) August 16, 2024
“Minus edhe një urë”, tha komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Olesuk në Telegram, duke postuar video ajrore të një shpërthimi në një urë pranë qytetit rus të Zvannoe.
Forcat ajrore vazhdojnë të privojnë armikun nga aftësitë e rifurnizimit me sulme të sakta ajrore”, shtoi ai.








