Një ngjarje dramatike me disa të plagosur ka ndodhur këtë të shtunë në qendër të qytetit Passau. Rreth orës 15:30, një 48-vjeçar u fut me shpejtësi me Mercedesin e tij në një grup njerëzish në rrugën Grünaustraße, pranë stacionit kryesor të trenit në qytetin bavarez.
Policia e arrestoi përkohësisht drejtuesin e automjetit në vendin e ngjarjes.
Gruaja dhe vajza e tij mes të plagosurve
Një zëdhënës i policisë në Straubing deklaroi për Bild: “Në grupin prej pesë personash ndodheshin edhe gruaja 38-vjeçare e drejtuesit të mjetit dhe vajza e tyre 5-vjeçare. Aktualisht kemi një person të plagosur mesatarisht rëndë dhe katër të plagosur lehtë. Dëshmitë e para sugjerojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me një mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijës.”
Shërbimet e emergjencës transportuan të paktën tre persona në spital.
Ende e paqartë nëse përplasja ishte e qëllimshme.
Policia tha se nuk përjashtohet mundësia që shoferi ta ketë drejtuar makinën me qëllim drejt grupit të njerëzve: “Nuk mund të përjashtohet që burri e ka drejtuar vetëdijshëm automjetin drejt grupit të personave,” – tha një zyrtar i policisë.
Rruga e bllokuar, hetimet vazhdojnë
Në vendngjarje ndodhet edhe zjarrfikësja, e cila ka bllokuar rrugën.
Policia u bën thirrje dëshmitarëve që kanë parë incidentin të kontaktojnë me Kriminalpolicinë e Passau në numrin: 0851-9511-0 ose me çdo komisariat tjetër policie.
Pamjet filmike po analizohen nga hetuesit, ndërsa një ekspertizë do të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të sakta të ngjarjes.
Kujton tragjedinë e dhjetorit 2023
Ngjarja rikthen kujtime të dhimbshme. Vetëm disa qindra metra larg, në dhjetor 2023, një shofer kamioni përplasi disa kalimtarë në trotuar ndërsa po anashkalonte një autobus të ndaluar. Në atë tragjedi humbën jetën një nënë 37-vjeçare dhe vajza e saj 11-vjeçare.







