
Një thirrje dramatike për ndihmë është regjistruar pak çaste para tragjedisë që tronditi Indinë këtë mëngjes. Piloti i avionit të kompanisë Air India, i cili u rrëzua pranë aeroportit të Ahmedabadit, kishte dërguar një sinjal emergjence “Mayday” para se fluturimi të zhdukej nga radarët dhe të përplasej me disa ndërtesa në një zonë të banuar civile.
Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick në Londër, me mbi 200 persona në bord, dhe kishte hyrë në procedurat e ngritjes kur, për arsye ende të paqarta, ndodhi katastrofa. Pamjet nga vendngjarja tregojnë skena kaosi: mbeturina të përfshira nga flakët, tym i zi që ngrihet drejt qiellit dhe dhjetëra ekipe shpëtimi që luftojnë me kohën për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat.
Burime zyrtare ende nuk kanë dhënë një bilanc të saktë të viktimave, por mediat vendase flasin për dhjetëra të plagosur dhe viktima të mundshme, ndërkohë që autoritetet ndodhen në gjendje të lartë gatishmërie.
Agjencia ANI raporton për 242 persona në bord, ndërsa CNN News18 flet për 220 pasagjerë dhe 12 anëtarë ekuipazhi. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse përplasja ndodhi gjatë ngritjes apo uljes, por të dhënat paraprake sugjerojnë një defekt teknik gjatë fazës së ngritjes, i cili mund të ketë çuar në thirrjen urgjente të pilotit.
Në një deklaratë të shkurtër në platformën X, Air India tha se është duke hetuar incidentin dhe do të japë përditësime sapo të ketë më shumë informacion.
Hetimet kanë nisur dhe një ekip i specializuar i aviacionit civil është nisur drejt vendngjarjes për të analizuar kutitë e zeza dhe për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Versus.al







