Suella Braverman u bë sot politikania më e fundit nga radhët e konservatorëve britanikë (Tory) që i bashkohet Reform UK, duke deklaruar se “ndihet sikur është kthyer në shtëpi”.
Ish-ministrja e Brendshme e Partisë Konservatore – e shkarkuar më herët nga Liz Truss – u prezantua zyrtarisht nga Nigel Farage në Londër, ku deklaroi se po “i vë pikën gënjeshtrave të Tory-ve”.
Pas paraqitjes krah një Nigel Farage të buzëqeshur në aktivitetin “Veterans for Reform”, Braverman sulmoi ashpër ish-partinë e saj për refuzimin për të nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR).
Ajo tha se konservatorët nuk do ta largojnë kurrë Britaninë nga ECHR-ja, edhe nëse fitojnë zgjedhjet e ardhshme.
Braverman theksoi se Nigel Farage është i vetmi politikan në Mbretërinë e Bashkuar që ka qenë “konsekuent me guxim”, ndërsa shtoi se qëndrimi i saj si ministre për daljen nga ECHR-ja i kushtoi postin, duke u “shkarkuar” dhe “ndëshkuar” sepse, sipas saj, “tha të vërtetën”.
“Po i vë pikën. Po i vë pikën tradhtisë së Tory-ve. Po i vë pikën gënjeshtrave të Tory-ve. Po i vë pikën një partie që vazhdon të bëjë premtime pa pasur asnjë qëllim për t’i mbajtur,” u shpreh ajo.
“Ndjej sikur jam kthyer në shtëpi,” shtoi Braverman.
Lëvizja e saj, për të cilën flitej prej kohësh, vjen vetëm një javë pasi Robert Jenrick, ish-zëvendësi i saj në Ministrinë e Brendshme, braktisi gjithashtu konservatorët për t’iu bashkuar Reform UK, së bashku me ministrin në hije Andrew Rosindell.
Megjithatë, vetëm verën e kaluar, Reform UK përjashtonte mundësinë e bashkimit të Braverman, duke e cilësuar atë si “jo lojtare skuadre” dhe “tepër përçarëse”.Versus.al

