
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.
Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Letra u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.
"Jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në", ka shkruar Kurti në letrën e tij.
Kurti i ka thënë Abdixhikut se "koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime", teksa ka shkruar se ka bindjen që "votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV".
"Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë", është shprehur Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.
Kreu i LVV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për shkuarje në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.
"Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?", e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.
Nga LDK-ja nuk janë deklruar deri më tani për ftesën e Kurtit.
Më herët, të hënën, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se bllokimi i Kuvendit është pasojë e mosbashkëpunimit mes LVV-së dhe partive që dikur ishin në opozitë. Ai ka thënë se "nuk ka mirëbesim mes partive politike" dhe se kjo "është për keqardhje".
Sipas tij, mirëbesimi mund të arrihet "vetëm me veprime konkrete nga Kurti". Ai ka kërkuar që Kurti të kërkojë falje "për gjuhën ofenduese dhe sjelljen degraduese", dhe të marrë përgjegjësi për gjendjen e vendit sot.
Sot, për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Versus.al








