
Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, mbeti i vetmi i mbijetuar nga përplasja tragjike e avionit të Air India, fluturimi AI-171, pranë Ahmedabad-it më 12 qershor 2025.
Në atë aksident humbën jetën 241 persona në bord dhe 19 të tjerë në tokë. Ramesh ishte ulur në rreshtin e daljes emergjente, në vendin 11A, dhe arriti të shpëtonte duke dalë nga një dalje e thyer emergjente – duke u larguar nga rrënojat me lëndime të lehta fizike.
I quajtur nga mediat si një “mrekulli e gjallë”, ai po përjeton tashmë një traumë të thellë emocionale, përfshirë ndjenja faji dhe makthe të përsëritura – të nxitura nga kujtimet e pasagjerëve dhe të vëllait të tij, Ajay, që gjithashtu ndodhej në avion.
Aktualisht, Ramesh ndodhet në shtëpinë e familjes në Diu të Indisë, ku po përpiqet të marrë veten me ndihmën e bashkëshortes dhe djalit të tij të vogël.
Hetimet paraprake tregojnë se përplasja ndodhi për shkak të konfuzionit në kabinën e pilotëve rreth ndërrimit të komandave të karburantit, që çoi në fikjen e të dy motorëve vetëm pak sekonda pas ngritjes.
Kutia e zezë është gjetur dhe një hetim i plotë është në zhvillim, ndërkohë që raportet fillestare sugjerojnë se mund të ketë pasur një veprim të qëllimshëm nga kapiteni për të çaktivizuar sistemin e karburantit.
Ekspertët e aviacionit kanë theksuar se vendi i uljes pranë daljes së emergjencës i dha Ramesh një avantazh jetësor, duke rritur mundësinë e tij për të shpëtuar./Versus.al







