Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë kanë mbetur pa strehë si pasojë e përmbytjeve katastrofike që kanë goditur juglindjen e Australisë gjatë ditëve të fundit. Reshje të rrëmbyeshme të shoqëruara me stuhi të fuqishme kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati, duke përmbytur zona të mëdha urbane dhe rurale në shtetet e Uellsit të Ri Jugor dhe Viktorias.
Sipas autoriteteve vendase, më shumë se 10 mijë prona, përfshirë shtëpi, biznese dhe ndërtesa të tjera, janë dëmtuar ose shkatërruar nga niveli i lartë i ujit. Përmbytjet kanë prekur drejtpërdrejt rreth 50 mijë banorë, shumë prej të cilëve janë evakuuar me ndihmën e ekipeve të emergjencës. Në disa raste, qytetarët janë shpëtuar nga çatitë e shtëpive pasi uji kishte mbuluar katet e poshtme.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, anuloi një vizitë të planifikuar në qytetin Taree të premten për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Në një dalje publike, ai e cilësoi situatën si “të tmerrshme” dhe shprehu ngushëllimet për viktimat.
“Humbja e jetëve njerëzore është shumë e dhimbshme,” deklaroi ai, duke shtuar se qeveria federale është e angazhuar për të ofruar mbështetje të menjëhershme për komunitetet e goditura.
Ekipet e shpëtimit dhe emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të ndihmuar banorët e izoluar dhe për të vlerësuar dëmet. Ndërkohë, shërbimet meteorologjike paralajmërojnë për reshje të mëtejshme në disa rajone, çka mund të përkeqësojë edhe më shumë situatën.
Kjo është një nga përmbytjet më të rënda që ka përfshirë Australinë në vitet e fundit, duke risjellë në vëmendje sfidat me të cilat përballet vendi për shkak të ndryshimeve klimatike dhe nevojën për përmirësim të infrastrukturës mbrojtëse ndaj fatkeqësive natyrore. /Versus.al/







