Komandanti i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), gjenerali Michael Kurilla, është takuar me presidentin amerikan Donald Trump, për t’i paraqitur opsionet ushtarake të SHBA-së në lidhje me situatën në Iran. Lajmi është raportuar nga Jerusalem Post, duke cituar një burim të njohur me zhvillimet.
Takimi vjen në një klimë të rritur tensionesh në Lindjen e Mesme dhe pas paralajmërimeve për një escalim të mundshëm ushtarak. Presidenti Trump thuhet se ka marrë një përditësim të plotë mbi alternativat që ka në dispozicion Pentagoni për një përgjigje ushtarake ndaj veprimeve të Iranit në rajon.
Netanyahu falënderon Trump-in për mbështetjen
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu falënderime publike ndaj Trump-it për qëndrimin mbështetës ndaj Izraelit. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se “komunikimi me presidentin Trump është i rregullt dhe i drejtpërdrejtë”, duke shtuar se bashkëpunimi për çështjet rajonale është më i rëndësishëm se kurrë.
Në një dëgjesë para ligjvënësve amerikanë, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se ushtria amerikane është e përgatitur për çdo skenar.
“Ne kemi plane për gjithçka, përfshirë edhe për ditën pas një sulmi ndaj Iranit,” – tha Hegseth, pa dhënë detaje shtesë.
Ai theksoi se nuk do të ndante informacione operacionale në një forum të hapur, duke përmendur sensitivitetin strategjik të çdo lëvizjeje të mundshme ushtarake ndaj Iranit. /Versus.al







