Arben Frroku, i dënuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe aktualisht duke vuajtur dënimin me burg në Holandë, ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në kërkesën e tij, Frroku kërkon marrjen në pyetje të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, si dhe të dy bashkëpandehurve të tij, Henrik Hoxhaj dhe Festim Qoli. Ai i referohet dëshmive të dhëna prej tyre para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme, duke sugjeruar se ato mund të kenë rëndësi për zbardhjen e plotë të çështjes apo për rishikimin e saj.
Burime pranë avokatëve mbrojtës bëjnë me dije se kërkesa bazohet në elementë të rinj që lidhen me rrethana të paditura më parë, të cilat mund të kenë ndikuar në procesin gjyqësor ku Frroku u shpall fajtor për një nga ngjarjet më të bujshme kriminale në Shqipëri në dekadën e fundit.
Frroku ishte shpallur fajtor në mungesë dhe më pas u ekstradua nga autoritetet holandeze. Vrasja e kryekomisarit Lamaj ndodhi në shkurt të vitit 2013 dhe shkaktoi reagim të gjerë publik dhe politik.
Ndërkohë, SPAK nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi kërkesën e paraqitur nga Frroku apo nëse do të nisin procedura të reja hetimore bazuar në dëshmitë e reja të përmendura. /Versus.al







