Uragani Beryl, i cili ka lënë 11 të vdekur në të gjithë Karaibe, zbarkoi sot në Meksikë dhe goditi gadishullin Jukatan, duke shkulur pemët dhe shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Pasi arriti në brigjet e Meksikës të premten, shpejtësia maksimale e erës së Beryl u ul në 160 kilometra në orë, por e gjithë zona do të përballet me reshje të dendura shiu dhe përmbytje të mundshme në orët e ardhshme, sipas parashikimeve të Komisionit Kombëtar të Ujit të Meksikës.
Qendra e stuhisë këtë mëngjes ishte rreth 25 kilometra në veriperëndim të qytetit Tulum dhe stuhia po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 24 kilometra në orë, tha qendra lokale e uraganeve.
Asnjë vdekje apo lëndim nuk u raportua deri të premten në mëngjes, por 40 për qind e Tulumit ishte ende pa energji elektrike.
Dikur fshat, Tulum është rritur vitet e fundit në rreth 50 mijë banorë dhe të paktën kaq shumë turistë mesatarisht në ditë dhe sot ka aeroportin e vet ndërkombëtar.
Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së tha në një deklaratë se Beryl pritet të shndërrohet së shpejti në një stuhi tropikale ndërsa kalon gadishullin përpara se të rishfaqet në Gjirin e Meksikës dhe ndoshta të rifitojë fuqinë e uraganit.








