EKONOMI & MJEDIS /

Të dypunësuarit paguan 17.3 mln euro tatime shtesë nga deklarimi i të ardhurave personale të 2024-s

Tatimet kanë arkëtuar nga deklarimi i të ardhurave personale individuale (DIVA) të vitit 2024 rreth 1,7 miliardë lekë apo 17,3 milionë euro, me rritje prej 1.4% me bazë vjetore, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve DPT.

Shkruar nga Versus

Të dypunësuarit paguan 17.3 mln euro tatime shtesë nga deklarimi

Tatimet kanë arkëtuar nga deklarimi i të ardhurave personale individuale (DIVA) të vitit 2024 rreth 1,7 miliardë lekë apo 17,3 milionë euro, me rritje prej 1.4% me bazë vjetore, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve DPT.

Shuma e arkëtuar ka ardhur kryesisht nga individët me dy apo më shumë punë, të cilët vazhdojnë të jenë kontribuuesit kryesorë në deklarimet e DIVA-s, për shkak të tatimit shtesë që paguajnë nga rillogaritja në fund të vitit.

Gjatë vitit të dypunësuarit i deklarojnë pagat më vete në secilën kompani ku punojnë. Në fillim të vitit të ardhshëm, kur bëhet deklarimi i DIVA, të dy pagat mblidhen bashkë dhe tatohen si një e vetme.

Kjo rrit ngarkesën fiskale për dy arsye. Së pari, sepse gjatë vitit individit i zbritej individualisht te secila punë, e ardhura e patatuar deri në 30 mijë lekë. P.sh. nëse një individ kishte dy paga me nga 100 mijë lekë, ai përjashtohej nga tatimi deri në 30 mijë lekë për të dyja pagat dhe më pas tatohej 13% nga 30-100 mijë lekë.

Kur bëhet deklarimi i të ardhurave, në fillim të vitit të ardhshëm, pagat mblidhen dhe ai përjashtohet vetëm për 30 mijë lekëshin e parë.

Së dyti, nëse pagat e mbledhura e kalonin kufirin e 200 mijë lekë në muaj, shtesa tatohet me 23%. Psh nëse një indivi ka dy paga me nga 100 dhe 150 mijë lekë në muaj, për diferencën prej 50 mijë lekë do të paguajë tatim prej 23%.

Kjo bën që individët me dy punë të paguajnë gjithnjë në fund të vitit tatimin shtesë mbi të ardhurat. Sa më të larta të ardhurat, aq më shumë është tatimi shtesë.

Nga 1 janari 2025, tatimi për njërën page po mbahet gjatë vitit

Nga 1 janari 2025 me ndryshimet e Akti Normativ Nr. 7, datë 14.12.2023, në zbatim të Ligjit të ri për Tatimin mbi të Ardhurat (Nr. 29/2023), për mbajtjen e tatimit gjatë vitit, i dypunësuari të nënshkruajë deklaratën e statusit personal.

Ata që punojnë në dy vende pune apo më shumë, duhet ta nënshkruajnë këtë deklaratë vetëm për një prej punëdhënësve.

I dy apo më shumë punësuari duhet të zgjedhë atë subjekt ku i punësuari vendos të zbatojë kufirin e pagës së patatueshme sipas neneve 20 dhe 22 të Ligjit Nr. 29,2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” (deri në 30 mijë lekë). Ndërsa kompania tjetër do të mbajë tatim mbi të gjithë të ardhurën, pa zbritje të ardhurës së patatuar deri në 30 mijë lekë.

Sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat pagat deri në 30 mijë lekë nuk tatohen. Për të ardhurat nga 30 mijë deri në 200 mijë lekë tatimi është 13% dhe për të ardhurat mbi 200 mijë lekë tatimi është 23%.

Tashmë ky tatim (13% e 30 mijë lekë) do të mbahet gjatë vitit nga njëri prej punëdhënësve dhe kur të bëjë deklarimin e të ardhurave personale deri në 31 mars të vitit të ardhshëm, nuk duhet të paguajë më.

Për të dypunësuarit, paga e mbledhur e të cilëve i kalon 200 mijë lekë në muaj, ose 2.4 milionë lekë në vit dhe si rrjedhojë shtesa pas 200 mijë lekë tatohet me 23%, atyre do t’u mbahet tatimi për 30 mijë lekëshin e njërës pagë gjatë vitit, por sërish do të duhet të paguajnë tatimin shtesë prej 23% kur të bëjnë deklarimin e të ardhurave personale në fillim të vitit të ardhshëm.

Detyrimi i dytëpunësaurve për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA nisi të zbatohet për herë të parë nga 2020./ Monitor

Tags:

dypunesimi

Poll