POLITIKË /

I bashkohet PS, Faik Basha braktis Partinë e Lirisë: Kontributi im nuk mori vlerësimin e merituar

Njoftimi i tij vjen vetëm një ditë para nisjes së fushatës elektorale për 11 majin. 

Shkruar nga Versus
I bashkohet PS, Faik Basha braktis Partinë e Lirisë: Kontributi im nuk
Ilir Meta/Faik Basha

Tjetër largim nga Partia e Lirisë. Faik Basha, anëtar i Kryesisë dhe njëherazi kreu i PL në Kamëz, është larguar nga partia e Ilir Metës dhe do t’i bashkohet Partisë Socialiste.

Njoftimi i tij vjen vetëm një ditë para nisjes së fushatës elektorale për 11 majin. 

Largimin nga Partia e Lirisë e njoftoi vetë Basha, i cili në një postim të gjatë në Facebook, thotë se u largua për shkak të mungesës së meritokracisë.

Sipas tij, shumë vende dhe pozita në Partinë e Lirisë janë zënë përmes favorizimit dhe marrëdhënieve personale.

“Në të ardhmen, do të vazhdoj të angazhohem për kauzat që besoj, dhe shpresoj të shoh një zhvillim të qëndrueshëm në politikën shqiptare. Principet themelore të një partie kurajoze dhe progresive është merita dhe përkushtimi ndaj parimeve të barazisë dhe drejtësisë. Megjithatë, gjatë periudhës që kam qenë pjesë e kësaj partie, kam vënë re një mungesë të theksuar të meritokracisë. Është e qartë se shumë vende dhe pozita janë zënë përmes favorizimit dhe marrëdhënieve personale, duke anashkaluar individët më të aftë dhe të përkushtuar në kauzat publike”, shkruan Faik Basha.

Basha do t’i bashkohet Partisë Socialiste dhe këtë e lë të nënkuptuar edhe në postimin e tij, ku thotë se është koha për të punuar për një Shqipëri Europiane, motoja kryesore e socialistëve gjatë kësaj fushate.

"Unë besoj se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të qytetarëve të saj. Çdo përpjekje e re, çdo hap i vogël përpara, është një hap drejt një të ardhmeje më të ndritur. Le të fillojmë këtë betejë së bashku për një Shqipëri Europiane, për të ndërtuar një Shqipëri që na bën krenarë të gjithve. Interesat e një Shqipëria Europiane janë detyrë patriotike e çdo Shqiptari", shkruan Basha. 

Basha thotë se ka dhënë dorëheqjen si anëtar i Kryesisë së Partisë së Lirisë, sekretar për Sigurinë Publike në Partinë e Lirisë, kryetar i Grupit të Këshilltarëve të PL në Bashkinë e Kamzës dhe kryetar i Partisë së Liri Kamëz.

Kujtojmë se nga PL ka pasur disa largime, mes tyre edhe sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari i cili po ashtu i është bashkuar Ramës dhe garon si deputet në listën e hapur të PS në qarkun e Tiranës.

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: