POLITIKË /

Debate në Parlament/ 'I paburrë', Niko Peleshi përjashton nga seanca Gazment Bardhin, vërejtje dhe për Balliun

Përplasja kulmoi me përjashtimin nga seanca të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pas ndërprerjeve të vazhdueshme dhe fyerjeve ndaj kryeparlamentarit.

Shkruar nga Versus

Debate në Parlament/ 'I paburrë', Niko Peleshi

Seanca plenare e sotme në Kuvend është shoqëruar me debate dhe tensione mes deputetëve të opozitës dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Përplasja kulmoi me përjashtimin nga seanca të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pas ndërprerjeve të vazhdueshme dhe fyerjeve ndaj kryeparlamentarit.

“Zoti Bardhi, në bazë të rregullores, ju heq të drejtën e fjalës për gjithë ditën e sotme. Përjashtoheni nga seanca, po marr masën e katërt ndaj jush”, deklaroi Peleshi, pasi Bardhi e ndërpreu disa herë gjatë zhvillimit të diskutimeve me fjalët “je i paaftë” dhe “i paburrë”.

Bardhi, megjithatë, refuzoi të largohej nga salla duke thënë: “Nuk përjashtohem, fare nuk përjashtohem…”. Në debat u përfshi edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili mori vërejtje nga kryetari i Kuvendit për sjellje të papërshtatshme gjatë seancës.

Përplasja nisi gjatë diskutimeve për pyetjet e drejtuara ndaj Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, ku Bardhi kërkoi respektimin e rregullores së Kuvendit për mënyrën e replikave.

Në vijim, Peleshi ndërpreu seancën për pesë minuta për të qetësuar situatën, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se socialistët do të kërkojnë masë disiplinore ndaj Bardhit për përjashtim 10-ditor nga punimet e Kuvendit.

Poll