Parlamenti bullgar ndaloi me ligj “propagandën” LGBT+ në shkolla këtë të mërkurë, më 7 gusht. Ligji u miratua me një shumicë shumë të madhe, një votë e papritur kundër një sfondi të “luftës kulturore” të nxitur mesa duket edhe nga Lojërat Olimpike të Parisit sipas OJQ-ve. Amendamenti, i paraqitur me propozimin e partisë pro-ruse të ekstremit të djathtë Vazrajdane (Rilindja), u miratua me 159 vota (22 kundër dhe 13 abstenime). Ai e bën të paligjshëm "inkurajimin" e një "orientimi seksual jo tradicional" dhe një identiteti gjinor "të ndryshëm nga biologjik", bazuar në modelin e një ligji hungarez të kritikuar ashpër nga Brukseli.
Raportuesit justifikuan nevojën për një ligj të shpejtë për shkak të një “normalizimi të papranueshëm të orientimit seksual jotradicional”, të kryer sipas tyre nga “propaganda” e vazhdueshme.
Për Denitsa Lubenova, avokate e shoqatës LGBT+ Deistvie (Veprim), ata "përfituan" nga një kontekst aktual i "luftës kulturore" të nisur që m hapjen e Olimpiadës së Parisit. Kisha Ortodokse kritikoi ashpër ceremoninë e hapjes, e cila kishte lënë vend për pakicat seksuale dhe gjinore. Bullgaria denoncoi pjesëmarrjen e boksierëve algjerianë Imane Khelif dhe tajvanez Lin Yu-ting, duke gjykuar se ata përfaqësonin "gjininë tjetër" .
Demonstruesit dolën në rrugët e kryeqytetit Sofje në orët e vona të pasdites për të protestuar kundër miratimit të amendamentit, duke thirrur "Turp për ju!" dhe “Mos i dëboni njerëzit nga Bullgaria”. Midis tyre, Sanya Kovacheva, një arkitekte 35-vjeçare, denoncoi "politikanë që shfrytëzojnë dezinformatat që lulëzojnë rreth Lojërave dhe kalërojnë valën e urrejtjes kundër komunitetit LGBT+" , në prag të zgjedhjeve të reja të planifikuara për në tetor.
Bullgaria, një anëtare e Bashkimit Evropian, gjendet në destabilitet të rëndë politik dhe votuesit e saj thirren në qendrat e votimit këtë vjeshtë, për shkak të mungesës së shumicës, për herë të shtatë që nga viti 2021. Ndërsa në Hungari, që nga vera e 2021 , permendja e homoseksualitetit para të miturve dënohet me gjobë. Në fund të qershorit, edhe Parlamenti në Gjeorgji miratoi gjithashtu një ligj që ndalon "propagandën LGBT+" , shumë i ngjashëm me legjislacionin e përdorur në Rusi për të shtypur pakicat seksuale dhe gjinore.








