Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me gratë në qytetin e Vlorës të cilave u bëri thirrje që ta kenë të qartë se më 11 maj zgjedhin mes rrugës evropiane të vendit dhe “hallit të një njeriu të vetëm” duke ironizuar Berishën. *Këtë herë Rama përmendi edhe kontratën e lobimit me shumë 6 milionë dollarë të nënshkruar mes PD dhe një studioje amerikane të njerëzve të Donald Trump duke thënë se e gjitha është përpjekje për heqjen e ‘non-gratës’. *Teksa u shpreh i bindur për fitoren absolute më 11 maj, Rama tha se nëse Vlora nuk shënon rekord me mandate për PS në këto zgjedhje, do të jetë një “turp” për ata burra vlonjatë që nuk dolën të votojnë.
“Turp për burrat nëse Vlora nuk thyen rekord”, Rama-vlonjatëve: Gratë t’i vënë në gjumë ata që nuk mbushin fare
“Në çdo qytet ku shkoj më thonë a do bëhet edhe qyteti ynë si Vlora”. Kështu u shpreh Rama gjatë takimit të tij elektoral me gratë e qytetit bregdetar ku pati edhe një thirrje të drejtëpërdrejtë për burrat.
Ai tha se pavarësisht problemeve që ka në çdo qark të vendit, Vlora duhet të thyejë rekord me vota dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, tha se do jetë turp për ata burra që nuk do votojnë.
“Gjithë Shqipëria ka probleme, por nëse të gjitha qytetet kanë bërë përparimet e tyre, unë po them që në çdo qytet që shkoj, gjëja që më thonë është a do bëhet qyteti ynë si Vlora? Unë e di që Vlora nuk është vetëm Lungomarja, nuk është vetëm bulevardi, nuk është vetëm lagjet e transformuara. Ka akoma zona brenda saj ku duket sikur nuk ka ardhur akoma ndryshimi.
Por di dhe një gjë tjetër, nëse ka burra dhe djem që në ditën e votimit duhet të çojnë të shkojnë të votojnë, janë burrat dhe djemtë e Vlorës dhe patjetër gratë dhe vajzat. Nëse doni më shumë për Vlorën, atëherë unë dua më shumë nga Vlora më 11 maj.
Kam bindjen absolute që nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, mbahet për sensin e historisë dhe nëse të gjithë ju keni dëshirë të flisni për Ismail Qemalit dhe të këndoni këngët e heroizmat tuaja, duhet të provoni që sensin e historisë e keni dhe sot. Në 11 maj PS do të fitojë në gjithë Shqipërinë, në disa qarqe do thyejë rekord. Nëse Vlora nuk thyen rekord, ky do jetë turpi i gjithë burrave që nuk do shkojnë në votim”-tha Rama.
Ndërsa më tej e propozoi edhe një zgjidhje për ata burra që sipas tij “nuk mbushin fare”.
“E kanë detyrë të votojnë, ata që janë të pavendosur, le të vendosen bashkë me ne te numri 5 dhe e treta pastaj ata që nuk mbushin fare, le të shpresojmë që gratë e tyre t’i vënë në gjumë atë ditë që mos të shkojnë fare të votojnë”- e përmbylli Rama fjalën e tij. Versus.al
“Sa më shumë na qepen, do i shqepim”, Rama ironizon analistët: Vetëm burrat thonë se populli është i sëmurë
Kreu i qeverisë, Edi Rama edhe gjatë takimit të sotëm me gratë në Vlorë, nuk hoqi dorë nga retorika e ashpër e përdorur prej tij në këtë fushatë elektorale me etiketime të ndryshme.
Këtë herë, u përqendrua tek analistët të cilët sipas tij nëpër studio televizive shprehen se “populli është i sëmurë” vetëm sepse nuk rrëzon klasën politike nga pushteti. Ai tha se konkluzione të tilla arrihen vetëm nga analistët burra, ndërsa nuk i kurseu as ironitë për ta.
“Këto përfundime nuk i arrin asnjë grua, i arrijnë vetëm burrat që populli është i sëmurë, populli është i çmendur, populli nuk kupton. Këta burra që rrinë shtrirë nëpër ato moçalet e natës dhe u futen njerëzve nëpër shtëpi duke u futur njerëzve nëpër shtëpi dhe duke u dhënë opinionet e tyre. U bënë 12 vjet që na janë qepur dhe sa më shumë ne i shqepim”- u shpreh kryesocialisti. Versus.al
“Luli i shkretë u bë leckë për 500 mijë euro”, Rama për kontratën e lobimit të PD: Ku i gjetën aq para?
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gratë në Vlorë, nuk la pa shfrytëzuar lajmin e kontratës 6 milionë dollarëshe të lobimit të PD në SHBA. Ndërsa tha se Basha “për 500 mijë euro u bë leckë”, Rama u shpreh se shifra prej 6 mln dollarësh ka synim heqjen e non-gratës.
Ndërsa theksoi se kjo shumë është me e madhe se ajo çfarë u jepet partive politike nga buxheti i shtetit, ngriti pyetjen se ku u gjetën gjithë ato para, duke shprehur mosbesim mbi argumentin e dhënë nga PD se paratë u siguruan nga një grup patriotësh shqiptarë.
“I njëjti personazh i njëjti fajtor që përsëri vjen vërdallë për të kërkuar nga shqiptarët votën për hallin e tij krejt personal. Të gjitha ju që jeni këtu sot dhe të tjerët që e ndjekin këtë përballje, jeni sot të habitura nga fakti që janë paguar 6 milionë euro. është bërë një kontratë 6 milionë euro thuhet nga patritotë. Ju kujtohet që edhe herën e kaluar, Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë. Edhe ai kështu tha u bënë ca patriotë, por 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi non-grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen ku i gjetën gjithë ato para. Dhe si mundet që thjesht dhe vetëm për hallin e një njeriu të paguhen më shumë para sesa çfarë shteti shqiptar jep për të gjitha partitë të marra së bashku. Pastaj është pak e çuditshme kur e mendon se ne na u tha se sa të vinte Trump-i do ikte non-grata. Tani u dashkan edhe 6 milionë euro me shpresën që do ikë “Non-grata”. Por edhe sikur të rrijë apo të ikë, nuk është më çështja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë sot në një moment historik dhe duhet të marrin një vendim historik”- deklaroi Rama. Versus.al








