Çfarë do të gjeni në brendësi
*Situata në fshatrat e Gramshit këtë mëngjes paraqitet më e përmirësuar duke bërë që banorët të kthehen nëpër banesat e tyre pasi nuk ka më rrezik për ta. *Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos tentojnë të ndezin zjarre për të djegur mbeturinat apo prodhime bujqësore për të pastruar territorin pasi ky veprim përbën vepër penale. *Nga 57 vatra zjarri që shkrumbuan banesa e bagëti, kanë mbetur edhe 29 vatra aktive. *Kryeministri siguroi se po kryhet inventarizimi i plotë i dëmeve dhe se asnjë familje nuk do të mbetet pa mbështetjen e shtetit.
Rama pas zjarreve shkatërrimtare: 207 shtëpi të dëmtuara, 40 familje humbën shtëpinë plotësisht, nuk do ju lejmë vetëm
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së rëndë të zjarreve që kanë përfshirë vendin në 48-72 orët e fundit, duke i cilësuar si ndër më të vështirat e përjetuara deri më tani.
Ai shprehu ngushëllime për familjet që kanë humbur të afërmit dhe solidaritet për ata që kanë mbetur pa strehë.
Sipas të dhënave zyrtare, janë 207 shtëpi të dëmtuara, nga të cilat 40 janë shkatërruar plotësisht.
Kryeministri siguroi se po kryhet inventarizimi i plotë i dëmeve dhe se asnjë familje nuk do të mbetet pa mbështetjen e shtetit.
Edi Rama: Jam këtu për të ndarë me ju disa përshtypje dhe patjetër disa të dhëna lidhur me 48, 72 orët e fundit, të cilat ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën zhvillim më të madh sesa cdo herë tjetër më parë këtë moment. Në radhë të parë dua që t’ju shpreh ngushëllim kujt të humbi të afërmin e vet dhe t’ju shpreh gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri, tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri por në këtë numër hyn 40 familje deri tani, të cilat e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe padiskutim siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe për të parrë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Deri tani numërohen 3 6019 krerë të humbur, do të kompensojmë një për një pa asnjë diskutim ndërkohë që inventarizimi i tyre vazhdon./Versus.al
U shkrumbuan banesa e fshatra të tërë, 29 vatra zjarri aktive në vend! Ministria: Punohet për të shuar flakët te Syri i Kaltër
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detajet mbi vatrat e zjarrit në vend gjatë 24 orëve të fundit. Nga 57 vatra zjarri që shkrumbuan banesa e bagëti, kanë mbetur edhe 29 vatra aktive. Në Delvinë vijon puna për shuarjen e vatrës së zjarrit në Syrin e Kaltër.
Në Gramsh ku situata ishte tepër e rëndë gjatë dy ditëve të fundit, aktualisht zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë flakët në fshatin Kullollash të njësisë administrative Skënderbegas në një zonë pyjore.
Vatrat aktive në të gjithë vendin:
*Qarku Vlorë* Në bashkinë Delvinë vijon puna për vatrën e zjarrit në Syrin e Kaltër. Në terren po operojnë: 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete transporti, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Zjarri vazhdon aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit.Vijon të jetë aktive vatra në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq, bashkia Finiq.
Situata po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore. Zjarri në fshatin Kuç, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, vijon në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje. Po operojnë forcat zjarrfikëse.Në fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë, është shfaqur një vatër zjarri. Po operojnë forcat zjarrfikëse.
*Qarku Dibër* Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, në afërsi të fshatit Val, njësia administrative Martanesh, bashkia Bulqizë, në zonë të mbrojtur. Forcat zjarrfikëse janë përqendruar në monitorim duke mbajtur këtë vatër nën kontroll. Ditën e sotme në terren ndodhen 2 forca nga AdZM dhe 5 forca vullnetare.
Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, zjarri është zhvilluar në disa vatra, por me intensitet të lartë në zonë me pyje, ndihmuar nga era. Ditën e sotme vazhdon operacioni me 8 forca nga MZSH, 6 forca pyjore, 4 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për banesa.
*Qarku Berat*
Në fshatrat Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll” në zonën e Tërpanit, me origjinë në fshatin Rehovë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan. Në fshatin Plashnik, për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe erës së fortë u rrezikuan seriozisht banesat në lagjet Totaj, Ziflaj, Serjanaj dhe Beqiraj, ku dje u evakuan 20 banorë.
Sot në ndihmë të forcave tokësore shkuan edhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe 2 helikopterët që operonin në bashkinë Gramsh. Në fshatin Velçan, njësia administrative Sinjë, bashkia Berat. Gjatë natës në terren qëndruan 2 grupe shërbimi me 2 automjete zjarrfikëse.
Në fshatin Orizaj, njësia administrative Qendër Skrapar, bashkia Skrapar, vijon zjarri në një sipërfaqe me shkurre e bimësi mare. Vatra nuk paraqet rrezik dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim nga strukturat bashkiake.Në fshatin Vokopolë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan, vatra e zjarrit ka qenë me intensitet të ulët dhe po mbahet në monitorim. Vatra e zjarrit midis qytetit të Poliçanit dhe fshatit Mbrakull vazhdon, por situata ka qenë e qetë dhe nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.
*Qarku Tiranë*
Në “Malin e Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, vijon zjarri. Gjatë ditës në terren u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë nga MZSH Tiranë, 5 forca APR dhe forca nga Policia e Shtetit, të cilët arritën ta vinin vatrën nën kontroll duke evituar rrezikun për banesat. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë.
Në terren u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë nga MZSH, 5 forca nga APR dhe forca nga Policia e Shtetit, të cilët arritën ta vinin vatrën nën kontroll. Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, njësia administrative Zall Herr, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e terrenit kodrinor-malor ka qenë i vështirë veprimi i mjeteve zjarrfikëse dhe nuk u mundësua shuarja e plotë e flakëve, por u arrit të vihej nën kontroll duke evituar rrezikun për banesat. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatrat Spanesh dhe Kazie, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Ditën e sotme zjarri është izoluar dhe po mbahet në vëzhgim.
*Qarku Gjirokastër*
Vijon puna për shuarjen e zjarrit të ardhur nga bashkia Finiq në territorin e bashkisë Dropull, në drejtim të fshatit Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan, vatër e cila u përhap në dy fronte në majën e Leftokaresë dhe më pas u vu nën kontroll.Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Hormovë, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë. Sot nuk ka vatra aktive në fshatra, por vetëm në lartësi të Majës së Golikut. Në malin e Sopotit ka rënë zjarr në afërsi të antenave të RTSH. Sipërfaqja e djegur po mbahet nën monitorim.
*Qarku Elbasan*
Sot që në orët e para të mëngjesit ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, në një zonë pyjore. Në terren u angazhuan: 30 forca zjarrfikëse me 11 automjete të MZSH-ve Gramsh, Elbasan, Cërrik dhe Librazhd; 60 forca bashkiake; 80 forca vullnetare dhe 70 efektivë të FA me 2 mjete zjarrfikëse. Në operacionet ajrore morën pjesë 2 helikopterë (çek dhe sllovak). Operacioni vazhdon me angazhimin e forcave vendore. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kodovjat, afër fshatit Posnovisht, njësia administrative Kodovjat, bashkia Gramsh. Pas punës së forcave në terren u arrit të izolohet zjarri dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim. Vijon të jetë i pranishëm zjarri i rënë në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk kanë qenë të rrezikuara banesat.
*Qarku Shkodër*
Në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xath, njësia administrative Blerim ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit dhe vënien e tij në kontroll. Zjarri ka rrezikuar edhe fshatin Trun, në pjesën e majës së Kunor Dardhës, në një terren shumë të thyer malor. Aktualisht po operojnë forcat tokësore dhe helikopteri i FA.
*Qarku Kukës* Në fshatin Bele, njësia administrative Zapod, bashkia Kukës ka rënë zjarr në Parkun Natyror Korab-Koritnik, në një sipërfaqe pyjore. Vazhdon angazhimi i forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
*Qarku Korçë*
Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të aktivizuar në një sipërfaqe pyjore me pisha në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë. Në terren ndodhen forcat operacionale dhe 3 mjete për hapjen e rrugës dhe brezat e sigurisë kundër zjarrit. Gjatë ditës së djeshme ka patur shpërthime të municioneve që ndodheshin në brendësi të perimetrit të vatrës së zjarrit.
Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 automjete zjarrfikëse dhe 1,143 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 409 forca ushtarake, 23 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia. Versus.al
“Mos ndizni asnjë zjarr, vepër penale”, policia për situatën në vend: 137 zjarrvënës të identifikuar
Që prej muajit qershor e deri më datë 14 gusht, plot 137 persona janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit. 46 prej tyre janë arrestuar ndërsa 91 të tjerë janë proceduar penalisht.
Me anë të një njoftimi zyrtar, policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos tentojnë të ndezin zjarre për të djegur mbeturinat apo prodhime bujqësore për të pastruar territorin pasi ky veprim përbën vepër penale.
“Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse. Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre”- thuhet në njoftim.
Aktualisht situata paraqitet më e përmirësuar teksa banorët e fshatrave të rrezikuar nga flakët në Gramsh po nisin të rikthehen në banesat e tyre për t’u rimëkëmbur nga dëmet që la pas zjarri i përmasave të paimagjinueshme. Versus.al
Përmirësohet gjendja në fshatrat e Gramshit, banorët rikthehen në banesa! Nis groposja e bagëtive të dj*gura
Elbasan- Situata në fshatrat e Gramshit këtë mëngjes paraqitet më e përmirësuar duke bërë që banorët të kthehen nëpër banesat e tyre pasi nuk ka më rrezik për ta.
Ulja e temperaturave dhe puna e qindra ekipeve në terren, kanë bërë që situata të jetë më e mirë. Ende ka disa vatra aktive në fshatrat e Skënderbegasit dhe Kodovjatit, por ato po mbahen nën monitorim dhe po punohet për fikjen e zjarrit.
Ndërkohë po punohet për groposjen e bagëtive të djegura dhe shmangien e çdo pandemie të mundshme. Ekipet përkatëse do të bëjnë edhe gjetjen e dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive që shkrumbuan dhjetëra banesa në 8 fshatra. Zjarri nisi nga një 80 vjeçar i cili pati një konflikt me fqinjët. I moshuari humbi jetën si pasojë e flakëve, ndërsa zjarri u përhap në disa fshatra. Versus.al
"Situata është përmirësuar", Rama për zjarret në vend: Neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin
Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar sërish nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale për situatën me zjarret në vend duke bërë me dije se pas përpjekjeve të vazhdueshme, gjendja paraqitet e përmirësuar.
Megjithatë, Rama nuk la pa përmendur kritikat e marra nga qytetarët dhe nga rivalët politikë sa i takon mungesës së mjeteve për shuarjen e flakëve, duke thënë se edhe në vende si Turqia e Spanja situata është e rëndë.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”- shkruan kryeministri. Ditën e djeshme duke u përgjigjur për mungesën e avionëve zjarrfikës, Rama tha se edhe pse Greqia e Turqia kanë avionë të tillë, sërish po pësojnë shkrumbime të mëdha nga flakët. Versus.al







