Çfarë do të gjeni në brendësi
*Biden njoftoi moskandidimin e tij në zgjedhjet e 2024. * Ai shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të partisë për postin. * Në një telefonatë me CNN ish-presidenti Donald Trump e përshkroi Bidenin “si presidenti i vetëm më i keq deri tani në historinë e Amerikës”. * Ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, iu bashkuan Presidentit Joe Biden në miratimin e Zëvendës Presidentes Kamala Harris si kandidate në garën për president. *Kurse Kongresmeni republikan, Richard Hudson, e quajti vendimin e Presidentit Joe Biden për të hequr dorë nga fushata presidenciale një “skandal me përmasa historike”.
Reagon Kamala Harris: Do ta mundim Trumpin në zgjedhjet presidenciale
Zëvendëspresidentja e Amerikës Kamala Harris, e cila mori mbështetjen e Joe Biden, pasi ky i fundit dha dorëheqje nga gara presidenciale e nëntorit, ka reaguar duke e falëndruar presidentin. Ajo ka thënë se do të bëjë gjithçka për ta bashkuar kombin amerikan dhe për të mposhtuar Donald Trump.
Ajo falënderon Biden për “udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme” dhe “dekadat e shërbimit ndaj Amerikës”.
Duke treguar se si u takua me presidentin, ajo vazhdon të shkruajë për “ndershmërinë dhe integritetin e tij… dashurinë e tij për Amerikën dhe popullin amerikan”.
Ajo e përshkruan vendimin e tij për t’i dhënë fund ofertës së tij për rizgjedhje si një “akt vetëmohues dhe patriotik” dhe thotë se është “e nderuar” që ka miratimin e Biden.
On behalf of the American people, I thank Joe Biden for his extraordinary leadership as President of the United States and for his decades of service to our country.
— Kamala Harris (@KamalaHarris) July 21, 2024
I am honored to have the President’s endorsement and my intention is to earn and win this nomination.
Ajo shkruan: “Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të bashkuar Partinë Demokratike – dhe për të bashkuar kombin amerikan – për të mposhtur Donald Trump dhe axhendën e tij ekstreme “Project 2025”. “Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë.”
Reagime në gjithë botën pas tërheqjes së presidentit Biden nga gara për Shtëpinë e Bardhë
Kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi se presidenti Biden ka arritur shumë për vendin e tij, për Evropën, për botën.
“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO është e fortë dhe SHBA-ja është një partner i mirë dhe i besueshëm për ne. Vendimi i tij për të mos kandiduar më, meriton mirënjohje”, shkroi kancelari gjerman.
Mein Freund @POTUS Joe Biden hat viel erreicht: für sein Land, für Europa, die Welt. Dank ihm ist die transatlantische Zusammenarbeit eng, die NATO stark, die USA ein guter und verlässlicher Partner für uns. Sein Entschluss, nicht noch einmal zu kandidieren, verdient Anerkennung.
— Bundeskanzler Olaf Scholz (@Bundeskanzler) July 21, 2024
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se e respekton vendimin e presidentit Biden për të hequr dorë nga gara presidenciale.
I respect President Biden's decision and I look forward to us working together during the remainder of his presidency.
— Keir Starmer (@Keir_Starmer) July 21, 2024
I know that, as he has done throughout his remarkable career, he will have made his decision based on what he believes is best for the American people. https://t.co/SCxFFtyl73
"Unë e di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme, presidenti Biden do ta ketë marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan", shkroi kryeministri britanik.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në një postim në rrjetin X i shprehu admirimin presidentit Biden për atë që ai e cilësoi vendim të guximshëm dhe dinjitoz.
Toda mi admiración y reconocimiento a la valiente y digna decisión del presidente @JoeBiden.
— Pedro Sánchez (@sanchezcastejon) July 21, 2024
Gracias a su determinación y liderazgo, EEUU superó la crisis económica tras la pandemia y el grave asalto al Capitolio y ha sido ejemplar en su apoyo a Ucrania ante la agresión rusa de…
“Falë vendosmërisë dhe udhëheqjes së tij, SHBA-ja e tejkaloi krizën ekonomike pas pandemisë dhe sulmit serioz në Kapitol dhe u bë shembullore në mbështetjen e saj për Ukrainën përballë agresionit rus të (Vladimir) Putinit. Një gjest i madh nga një president i madh që ka luftuar gjithmonë për demokraci dhe liri”, shkroi kryeministri spanjoll.
Kryeministri polak Donald Tusk shkroi në rrjetin X; “zoti President Joe Biden, shumë herë keni marrë vendime të vështira që e kanë bërë Poloninë, Amerikën dhe botën më të sigurt dhe demokracinë dhe lirinë më të forta. Unë e di që jeni udhëhequr nga të njëjtat parime kur shpallët vendimin tuaj të fundit. Ndoshta më i vështiri në jetën tuaj”.
Dear President @JoeBiden. You’ve taken many difficult decisions thanks to which Poland, America and the world are safer, and democracy stronger. I know you were driven by the same motivations when announcing your final decision. Probably the most difficult one in your life.
— Donald Tusk (@donaldtusk) July 21, 2024
Kryeministri i Çekisë Petr Fiala, tha se ky është padyshim vendimi i një burrështetasi që i ka shërbyer vendit të tij për dekada. “Është një hap i përgjegjshëm dhe personalisht i vështirë, prandaj edhe shumë i vlefshëm. Po lutem që Shtetet e Bashkuara nga konkurrenca demokratike e dy kandidatëve të fortë dhe të barabartë, të fitojnë një president të mirë”.
Kryeministri irlandez, Simon Harris, shkroi se “bota ka ndryshuar që nga fitorja e presidentit Biden në vitin 2020 dhe neve na është dashur të përballemi me sfida të jashtëzakonshme, nga një pandemi globale deri te kthimi i luftës në kontinentin e Evropës me agresionin e tmerrshëm në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë, e cila ka shënjestruar dhe vrarë qëllimisht civilë të pafajshëm. Presidenti Biden ishte një zë i arsyes, multilateralizmit efektiv dhe zgjidhjeve të përbashkëta", shkroi ai.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere i tha kanalit televiziv kombëtar NRK se e respekton vendimin e presidentit Biden për t’u tërhequr nga gara.
"Joe Biden ka qenë një nga politikanët më të shquar të Amerikës gjatë disa dekadave dhe një president që ka kryer disa reforma të rëndësishme", tha ai.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se zgjedhjet amerikane do të mbahen pas katër muajsh dhe kjo sipas tij “është një periudhë e gjatë kohore gjatë së cilës mund të ndryshojë shumëçka. Ne duhet të jemi të durueshëm dhe të monitorojmë me kujdes atë që ndodh. Përparësi për ne është operacioni i posaçëm ushtarak," tha Peskov, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Biden dorëhiqet nga gara për president, mbështet Kamala Harris. Reagimi i furishëm i Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai e njoftoi vendimin, pas thirrjeve të shumta në partinë e tij demokratë për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.
— Joe Biden (@JoeBiden) July 21, 2024
“Ishte nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si presidenti juaj. Dhe megjithëse ishte synimi im që të kërkoja rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që të tërhiqem dhe të përqendrohem në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit”, shkruan zoti Biden në një letër të postuar në llogarinë e tij në rrjetin social X.
Mandati i Presidentit Biden përfundon më 20 janar 2025.
Pak minuta më pas ai shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të partisë për postin.
My fellow Democrats, I have decided not to accept the nomination and to focus all my energies on my duties as President for the remainder of my term. My very first decision as the party nominee in 2020 was to pick Kamala Harris as my Vice President. And it’s been the best… pic.twitter.com/x8DnvuImJV
— Joe Biden (@JoeBiden) July 21, 2024
"Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte zgjedhja e Kamala Harrisit si nënpresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e emëruara e partisë sonë këtë vit. Demokratë - është koha të mblidhemi dhe të mundim Trump-in. Le ta bëjmë një gjë të tillë", u shpreh ai.
Kandidati republikan për president, ish-presidenti Donald Trump reagoi ndaj këtij zhvillimi duke shkruajtur në faqen e medias së tij sociale Truth Social, ku u shpreh se presidenti Biden "nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president dhe sigurisht që nuk është i përshtatshëm për të shërbyer (në këtë detyrë)".
"Do të vuajmë shumë nga presidenca e tij, por do ta ndreqim me shumë shpejtësi dëmin që ai ka bërë", shkruajti ish-presidenti Trump.
Zyrtarët demokratë, shumë prej të cilëve luajtën një rol për vendimin e marrë nga presidenti Biden, qarkulluan me shpejtësi deklarata për të lavdëruar vendimin e tij.
"Vendimi i tij sigurisht që nuk ishte i lehtë, por sërish ai vendosi në vend të parë vendin e tij, partinë dhe të ardhmen tonë", tha drejtuesi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer. "Joe, sot tregove se je një patriot i vërtetë dhe një amerikan i madh".
Edhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries e lavdëroi presidentin Biden si "një ndër udhëheqësit më të përmbushur dhe më domethënës në historinë amerikane".
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Mike Johnson tha se presidenti Biden duhet të japë menjëherë dorëheqjen, nëse nuk është i përshtatshëm për të kandiduar në zgjedhje. Në deklaratën e tij, zoti Johnson thotë se "5 nëntori duhet të kishte ardhur më herët".
Deri të shtunën Presidenti Biden kishte këmbëngulur se do të vazhdonte fushatën, megjithëse ishte shtuar numri i ligjvënësve dhe senatorëve demokratë që kërkonin tërheqjen e tij.
Rreth 36 të zgjedhur demokratë kishin kërkuar që presidenti të largohej nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin presidencial me ish-presidentin Donald Trump.
Presidenti Biden tërhiqet nga gara: Çfarë ndodh tani?
Vendimi i Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të paeksploruar.
Presidenti Biden shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate e Partisë Demokrate. Përpara se Presidenti Biden të merrte vendimin, Elaine Kamarck, një bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings, anëtare e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe autore e një libri mbi procesin e emërimit presidencial, kishte shpjeguar për agjencinë Reuters se çfarë mund të ndodhë më pas.
ÇFARË NDODH TANI?
Presidenti Biden i ka kaluar muajt e fundit duke siguruar mbështetjen e afro 4000 delegatëve demokratë, pasi fitoi zgjedhjet brenda partisë.
Ata delegatë do të votonin normalisht për të si kandidatin zyrtar presidencial të partisë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate që do të mbahet më 19-22 gusht, por sipas rregullores ata tashmë nuk janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë.
Delegatët mund të votojnë duke ndjekur ndërgjegjen e tyre, që do të thotë se mund t'ia japin votën dikujt tjetri. Me tërheqjen e tij, zoti Biden në mënyrë efektive po i lë të lirë delegatët e tij, ndoshta duke krijuar kushtet për një konkurrencë midis kandidatëve të tjerë demokratë për emërimin.
CILAT JANË ALTERNATIVAT PËR ZËVENDËSIMIN E PRESIDENTIT BIDEN SI KANDIDAT?
Disa zyrtarë demokratë mund të dëshirojnë të marrin pjesë në garë.
Nënpresidentja Kamala Harris është në krye të listës, por ajo ka patur problemet e saj pas një fillimi të vështirë në detyrë dhe një nivel jo të lartë mbështetjeje në anketime. Kushtetuta amerikane thotë se nënpresidentja mund të bëhet presidente, nëse presidenti vdes apo nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën, por nuk parashtron një proces brenda partive për përzgjedhjen e kandidatit zyrtar.
Ndër emrat e tjerë që janë përmendur si zëvendësues të mundshëm janë guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer, guvernatori i Kentakit Andy Beshear dhe guvernatori i Illionit JB Pritzker. Deri më tani, ata kanë qenë mbështetës të presidentit Biden dhe kanë punuar për ta ndihmuar atë të rizgjidhej.
SI DO TË PËRZGJIDHET I EMËRUARI I RI?
Mund të ketë një proces të hapur për të gjithë mes zyrtarëve kryesorë demokratë që e dëshirojnë këtë rol.
Sipas Ballotpedia-s, pritet që për këtë vit të jenë rreth 4,672 delegatë, nga të cilët 3,933 janë delegatë dhe 739 të ashtuquajtur superdelegatë, që janë përgjithësisht zyrtarë të lartë të partisë.
Që të marrë emërimin, një kandidat duhet të fitojë shumicën, pra më shumë vota se të gjithë kandidatët e tjerë së bashku.
Nëse asnjë prej kandidatëve nuk arrin një shumicë të tillë, atëherë do të ketë disa raunde votimesh për të arritur këtë lloj shumice dhe që të dilet me një kandidat zyrtar të partisë. Një konventë e tillë e hapur është mbajtur në vitin 1952 dhe demokratët nuk arritën të përzgjedhin një kandidat me votimin e parë.
ÇFARË DO TË NDODHË ME FONDET E FUSHATËS?
Fushata Biden-Harris pati mbledhur rreth 91 milionë dollarë kontribute deri në fund të majit, por ekspertët për legjislacionin e financimit të fushatave elektorale kanë mendime të ndryshme se si mund të zhvendosen këto fonde.
Për shkak se emri i zonjës Harris shfaqet në dokumentacionin e paraqitur për regjistrimin e fushatës, shumë ekspertë besojnë se fondet mund të transferohen drejt saj, nëse ajo fiton emërimin si kandidate zyrtare e Partisë Demokrate. Por ka edhe debat nëse presidentit Biden do t’i duhej fillimisht të bëhej i emëruari zyrtar i partisë dhe në vazhdim të kryhej transferimi i fondeve.VOA
Hillary e Bill Clinton mbështesin kandidaturën e Kamala Harris përballë Donald Trump
Ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, iu bashkuan Presidentit Joe Biden në miratimin e Zëvendës Presidentes Kamala Harris si kandidate në garën për president.
“Ne jemi të nderuar të bashkohemi me Presidentin në miratimin e Zëvendës Presidentit Harris dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur atë”, thanë Clintons në një deklaratë të përbashkët .
Kujtojmë se pasi njoftoi tërheqjen e tij nga gara, Biden bëri më dije se ka caktuar Zëvendës presidenten Kamala Harris si kandidate të demokratëve në zgjedhjet e nëntorit përballë Donald Trump.
Në një postim në “X”, Biden ai shprehu mbështetjen e tij për Harris, ndërsa shkruan se zgjedhja e Harris si kandidati i tij në 2020 ka qenë “vendimi më i mirë që kam marrë”.
Ndër të tjera, presidenti i SHBA u ka bërë thirrje demokratëve të bashkohen kundër Trump.
“Demokratë, është koha të mblidhemi dhe të mundim Trump”, shkruan ai.
Reagimi i zonjës së parë të SHBA -së, pasi i shoqi Joe hoqi dorë nga kandidimi përballë Trump
Zonja e Parë e SHBA, Jill Biden ripostoi letrën e Presidentit Joe Biden duke njoftuar vendimin e tij për të mos rikandiduar përballë Trump në nëntor. Ajo postoi gjithashtu edhe një emoji zemre.
Mediat amerikane njoftojnë se i kanë kërkuar një reagim zyrës së zonjës së parë. Por, një reagim ende nuk ka ardhur.
Kongresmeni republikan: Biden i paaftë mendërisht, por ka në dorë kodet bërthamore…
Kongresmeni republikan, Richard Hudson, e quajti vendimin e Presidentit Joe Biden për të hequr dorë nga fushata presidenciale një “skandal me përmasa historike”.
“Presidenti ynë është i paaftë, demokratët e dinin, dhe ata gënjyen popullin amerikan për ta mbuluar atë. Votuesit as nuk do ta falin dhe as do ta harrojnë tradhtinë përfundimtare të besimit të tyre”, tha ai.
Hudson vuri në dyshim aftësinë e Biden për të vazhduar pjesën e mbetur të mandatit të tij si President i SHBA.
“Nëse presidenti është mendërisht i papërshtatshëm për fushatë, ai është mendërisht i papërshtatshëm për të pasur kodet bërthamore. Çdo demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve duhet të përgjigjet tani: a është presidenti i përshtatshëm për të shërbyer pjesën tjetër të mandatit të tij?”.







