Çfarë do të gjeni në brendësi
*Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës është ndarë sot papritur nga jeta pas një ndërhyrje në zemër të kryer në Gjermani. I lindur në 1967-ën, Lame ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare. Si pasojë e ndërhyrjes në zemër, Lame përfundoi në gjendje kome dhe humbi jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm. *Gjatë karrierës së tij, Artan Lame ka mbajtur pozita të rëndësishme, përfshirë ato si zëvendësministër dhe së fundmi drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve që prej vitit 2019 deri në vitin 2023. Deklarata e tij para se të largohej nga ishte se ky largim për të ishte si një ‘dhuratë për ditëlindje’ pasi i duhej të kujdesej për shëndetin. *Pas lajmit të trishtë reagoi edhe kryeministri Edi Rama i cili shprehu ngushëllimet për familjarët e ish-kreut të Kadastrës.
Kur Artan Lami fliste për vdekjen: S’kam frikë prej saj! Rrëfimi mbreslënës me mesazhin më kuptimplotë për njeriun
Artan Lame u shua në moshën 58-vjeçare. Ai nuk arriti t’i mbijetojë një operacioni për zemrën në Mynih. Lame vuante nga shëndeti edhe më herët, madje edhe drejtimin e Kadastrës e la me arsyen se do duhej të kujdesej për veten. Në një operacion të kahershëm të tijin, ai rrëfeu për mediat sesi arriti asokohe t’i bënte ballë sëmundjes e të rikthehej nga vdekja.
Ai bëri dhe një shkrim të gjatë, një ese të mrekullueshme, të kthjellët, të dhimbshme dhe brutalisht të ndershme që sot, merr një tjetër peshë. Shkrimi i tij, të cilin Versus.al ua risjell në vëmendje nuk është thjesht një reflektim filozofik, që ndoshta sot ne e ndiejmë prej humbjes së Lames, apo e kemi ndjerë kur kemi humbur të dashurit tanë, - shkrimi është një pasqyrë tronditëse e Shqipërisë moderne.
Një vend ku njerëzit që kanë gjithçka, vila, toka, para, pushtet, janë në të vërtetë të zbrazur përbrenda. Të munduar, të frikësuar ndoshta nga fundi. Artani asokohe shkruante se nuk kishte frikë nga vdekja, por të tjerët, kthehen si “Kopraci” te librat e Molierit, “oligarkë” të paaftë për të hequr dorë edhe nga një copë tokë që s’do e prekin kurrë me këmbë.
Lame nuk po fliste vetëm për një “oligark.” Ai fliste për një klasë të tërë njerëzish që nuk dinë të ndalen. Që janë rritur pa kufij moralë, pa vlera të brendshme, pa ndjenjën e përkohshmërisë. Pa frikën e Zotit, por mbi të gjitha, pa ndjenjën e jetës. Ata mendojnë se do jetojnë përjetë — dhe sillen si të pavdekshëm. Jo nga trimëria, por nga marrëzia. Dhe për këtë, janë gati të marrin gjithçka me vete në varr.
Ironia është që nuk marrin dot as 2 metra dhé më shumë.
Kjo është një letër që duhet të lexohet në të gjitha zyrat e shtetit shqiptar. Në çdo zyrë ndërtimi. Në çdo mbledhje qeverie. Në çdo bisedë mbi oligarkët dhe ata që “i kanë të gjitha.” Sepse në fakt, siç e tha Lame, ata s’kanë më të rëndësishmen: vetëdijen për jetën.
Lamtumirë Artan Lame. Të rrallë janë ata që flasin kështu për jetën, edhe para se të ikin. E më të rrallë ata që e jetojnë siç e shkruajnë.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
Nga Artan Lame
KTHIM, VI
Sot bëj 6 vjet që u nisa të shkoj nga s’vihet më, e më ktheu udhës i Gjithëfuqishmi që na ka në dorë të gjithëve, e s’di pse e ç’gjë kish në mëndje që më ktheu. Dhe si çdo vit në këtë ditë, më lini të përpiqem të kuptoj e t’u them diçka.
Dëgjoni pra! Ai është një ndër ata që në gjuhën e sotme i quajmë rëndom oligarkë. Është rreth të gjashtëdhjetave. Përpara përmbysjes së vitit ’90 bënte tjetër punë. Pastaj ndërroi zanat, filloi të merrej me tregëti, më pas me ndërtime ku edhe bëri pasuritë e tij, vit pas viti e qeveri pas qeverie.
Puna më ka lidhur me të që në vitet e Bashkisë së Tiranës, më pas në Ministrinë e Ndërtimit e tani në Kadastër. Gjithnjë i qetë, ngulmues në hallin e vet, asnjëherë nuk merret me biseda jashtë tullave, pronave dhe çmimit të ndërtimeve.
Sot ka e ç’nuk ka, sa as vetë nuk i di sa ka. Nuk ka vetëm një gjë, shëndetin. Sapo ka kaluar sëmundje zemre, hall i gjithë shqiptarëve, ka kaluar edhe problem stomaku, edhe ky hall i shumicës së shqiptarëve, me siguri vuan edhe nga koliti dhe, nga mënyra se si lëviz, ndoshta edhe nga artriti. Si për t’u vënë kapak të gjithave kovidin e kaloi rëndshëm dhe i la pasoja në mushkëri.
Me telefonon dhe kërkon të më takojë. I them të vijë kur të dojë dhe i le takim në zyrë. Atë pasdite arrin me makinën e tij të stërmadhe të zezë që i duhet gati një minutë për t’u futur në oborrin e ngushtë të Kadastrës. Zbret dhe i duhen edhe disa minuta të tjera të bëjë ato pak metra nga porta deri tek zyra ime. Hyn, është i zbehtë dhe i zverdhur në fytyrë. Edhe i parruar prej ditësh. Megjithëse e ka kaluar kovidin, ka frikë. Mban maskë dhe nuk më jep dorën. Ulet me vështirësi në kanapenë aspak të rehatshme të zyrës dhe merr frymë me zor. Ka veshur tuta dhe sipër tyre një xhup, pasi sëmundja, më saktë sëmundjet nuk e lenë të kujdeset për luk-un.
Pas si je si s’je, sëmundjet, shtëpia, zyra, që vazhdojnë nja 10 minuta (jo se themi shumë gjëra por se mezi flet), kalon tek halli. Është në konflikt prone me dikë tjetër. Nuk arrijnë të merren vesh për një problem që ka filluar që përpara 14 vjetësh. Dikur kanë qenë ortakë në ndërtime, ndërsa tani janë prishur e bërë lëmsh. Kanë bërë gjyqe, seanca sa s’mbahen mend, gjykatë fakti, pastaj apel, pastaj gjykatë të lartë, pastaj padi, kundërpadi, sekuestro, sigurim padije, bllokime, avokatë, noterë, dëshmi, pastaj prapë padi e prapë e prapë. Kanë 14 vjet që nuk arrijnë të bien dakord për përqindjet e ndarjes së një cope toke ku do të duhet të ndërtohet më pas një pallat.
Ai flet e flet më tregon për takimet që ka bërë me punonjësit e hipotekës ndër vite, për bllokimet, çbllokimet, kartelat e pasurisë, o zot sa e gjatë.
Ndërsa e dëgjoj ngadalë duke marrë frymë me gërvishtje çdo 3 – 4 fjalë, mejtoj me vete. Ka miliona - jo, miliarda - ka prona pa fund, ka pallate në ndërtim, e të tjera të ndërtuara e të pashitura, e të tjera të ndërtuara të shitura a të dhëna me qera, ka troje ku po bën plane të bëjë pallate të tjera, ka vila në bregdet në Lalëz, në Golem e në Dhërmi, ka impiante prodhimi dhe makina luksi, ka qindra punëtorë dhe dhjetra llogari bankare, ka një televizion dhe një radio të vetën, ka përqindje nëpër banka dhe në shoqëri sigurimi. Po ç’dreqin i do ato 8% të asaj cope terreni midis dy pallateve në Durrës, ku do që të ndërtojë pallatin e radhës që as që do t’i bjerë radha të shkojë ta shohë, po thjesht do ju nxijë jetën edhe ca banorëve të tjerë!!!
Mund të shohë një film, të shkojë në një koncert, të vejë në piknik, në pyll, në Dajt të dalë për shëtitje në bregdet, të shohë një film, të merret me një hobi, të pijë një cigare i qetë në verandën e vilës në Farkë, të bëjë çdo gjë të bukur të kësaj bote, por jo. Hiqet zvarrë zyrë më zyrë për të marrë 12% sa ç’pretendon, jo 8% sa ç’i jep ai tjetri. Në fund ikën nga zyra zvarrë-zvarrë, duke e mbajtur për krahu shoferi i tij. I premtoj ta ndjek problemin dhe në fakt e verifikojmë me specialistët tanë, por nuk ka rrugëzgjidhje pa gjyq.
Mos u merrni me emrin e tij. Janë të shumtë si ai. Oligarkë e oligarke që i kanë të gjitha dhe nuk ngopen me gjithshka.
Kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët. Nuk e dinë që do vdesin. Po, po, të kuptosh që do vdesësh një ditë nuk është e lehtë, paçka se na duket se e dimë të gjithë. Kjo gjë është një prej bindjeve të mëdha të feve monoteiste dhe që kanë bërë të pamundurën të na i bëjnë me dije.
Përgjithësisht fetë kanë qëndruar në anën e vlerave shpirtërore, kundër parasë. Krishtërimi e filloi ekzistencën e vet me përzënien e tregëtarëve nga Tempulli; ndërsa të dy besimet e mëdha, edhe krishtërimi edhe islami, e dënojnë pa kusht fajdenë. Pa prajtun pasunarit i kujtohej se një ditë do vdesë; se çfarëdo që të bëjë, më shumë se 2 metra dhé nuk merr dot me vete; çdo javë në meshën e të dielës apo në faljen e të xhumasë, i kujtohej vdekja me imazhet e saj; ritualisht pa prerë ditë pas dite, javë pas jave, ëngjej parajse e djaj skëterre, kafka e kocka të kryqëzuara, varreza që rrethojnë kishën e xhaminë, ngado imazhe të vdekjes në vendin e faljes. Të gjitha për një qëllim, për t’i kujtuar njeriut fundin e pashmangshëm, e kështu për ta frenuar në grykësinë e vet, në babëzinë njerëzore.
Ne shqiptarëve, këtë gjysmë-shekullin e fundit, edhe feja na mungoi. Feja si burim vlerash e zuri bjerrjen që me triumfin e ideologjisë ateiste më 1944, për t’u fshirë pa nam e pa nishan përfundimisht pas vitit 1967 deri më 1990. Brezat e shqiptarëve të asaj periudhe, janë lindur e rritur pa këtë çekan që ju rri mbi kokë e që i bën të kuptojnë realisht se çfarë është vdekja, e sa pranë nesh është ajo në çdo hap. U rritën jo thjesht pa frikë perëndie, por edhe pa kuptimin real të vdekjes. Kjo i ka bërë që psikologjikisht të mos e kuptojnë se një ditë do vdesin e do ikin nga kjo botë dhe kjo i bën të luftojnë qenërisht dhe thonjërisht për çdo gjë, sikur do ta kenë përgjithmonë.
Kjo e bënte të luftonte edhe atë oligarkun që, i kërrusur e duke marrë frymë me zor, zbriste shkallët e mia në të ftohtë. Është rritur e formuar në kohën e shkretëtirës fetare të Shqipërisë së viteve ‘70-’80. Eshtë mendërisht i paaftë të kuptojë se mund të vdesë edhe nesër dhe do ikë pa mundur të kuptojë se ç’do të thotë që ti nesër të mos jesh, ndërsa bota të vijojë të gëzojë njësoj edhe pa ty. Dhe të gjitha ato që ka sot, pará, prona, vila, pallate, makina, firma, terrene, brenda një sekonde nuk do jenë më të tijat. Është e kotë t’ia shpjegoj. Nuk do ta kuptojë kurrë, as ai e as shumë të tjerë e të tjera si ai. Do vijojnë të shtrijnë kthetrat mbi gjithshka, derisa t’ju vijë ajo sekonda që do t’ua marrë të gjitha. Në atë sekondë do të kuptojnë se kanë shpenzuar më kot gjithë jetën për të mbledhur ato që nuk i marrin dot me vete, por kjo do të shërbejë vetëm që edhe të ikin me maraz nga kjo botë. Versus.al
“Një qytetar par excellence” – Reagimi prekës i Blendi Fevziut pas ndarjes nga jeta të Artan Lames
Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Artan Lames, të cilin e cilëson si një figurë të rrallë në shoqërinë shqiptare, një zyrtar model dhe mbi të gjitha një dashnor të pasionuar të historisë.
“Iku sot nga kjo botë në moshën 58-vjeçare. Iku kaq i ri, tamam atëherë kur ishte duke notuar në pasionin e tij kryesor, ngritjen e një muzeu për medaljet dhe flamujt, pjesë e koleksionit të tij të rrallë e mahnitës”, shkruan Fevziu.
Në fjalët e tij, gazetari nënvizon se humbja e Lames është jo vetëm një tronditje për miqtë dhe familjarët, por edhe një humbje për Shqipërinë.
“Kam kaq shumë për të thënë për të, por në këtë moment të parë shokues, mund të them vetëm kaq. U prehsh në paqe Artan. Familja humbi njeriun e dashur, ne mikun, por Shqipëria humbi një nga dashnorët e fundit të historisë dhe shkëlqimit të saj”, përfundon ai.
Artan Lame u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër. Ai ishte i njohur si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por edhe si një koleksionist dhe studiues i pasionuar i historisë shqiptare. Versus.al
PROFIL/ Ndahet nga jeta pas një ndërhyrjeje në zemër – Kush ishte Artan Lame?
Artan Lame, një nga figurat më të njohura të jetës publike shqiptare, u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare, pas një ndërhyrjeje në zemër. Humbja e tij tronditi opinionin publik, duke sjellë në vëmendje kontributin e një njeriu që i kushtoi jetën shtetit, kulturës dhe qytetarisë.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Lame ishte një ndër përfaqësuesit më të spikatur të brezit të intelektualëve të pas viteve ’90. U formua si një zë i arsyes dhe i angazhimit publik, duke u bërë i njohur jo vetëm si funksionar shtetëror, por edhe si studiues, opinionist dhe mbrojtës i vlerave historike dhe kulturore të vendit.
Funksionar publik dhe reformator
Artan Lame u angazhua gjatë në administratën shtetërore shqiptare. Nga viti 2013 deri në vitin 2019, ai drejtoi Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), ku pati një rol kyç në procesin kompleks të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në vend.
Në vitin 2019, ai u emërua në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ku vijoi përpjekjet për reformimin e sistemit të administrimit të pronave në Shqipëri. Nën drejtimin e tij, ASHK u përfshi në procese të rëndësishme të regjistrimit fillestar të pronave dhe shërbimeve publike, me synimin për të sjellë më shumë transparencë dhe lehtësim për qytetarët.
Intelektual i angazhuar dhe studiues i historisë
Përtej posteve shtetërore, Artan Lame ishte një publicist dhe opinionist i njohur, që dha një kontribut të rëndësishëm në mediat shqiptare përmes analizave, shkrimeve dhe diskutimeve mbi historinë, zhvillimet politike dhe kulturën shqiptare.
Ai u dallua si studiues i historisë shqiptare, me një pasion të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe arkitekturore. Ishte i pranishëm në shumë nisma për ruajtjen e objekteve historike, vlerave urbane dhe identitetit kulturor të qyteteve shqiptare, duke qenë shpesh një zë kritik ndaj ndërtimeve pa kriter dhe prishjes së monumenteve historike.
Angazhimi politik dhe qytetar
Lame ishte gjithashtu i angazhuar në jetën politike si veprimtar i Partisë Socialiste, duke mbajtur një profil që kombinonte profesionalizmin administrativ me përkushtimin politik. Megjithatë, ai njihej më shumë si një figurë e moderuar dhe e arsyeshme, që kërkonte dialog dhe zgjidhje institucionale.
Në jetën publike ai shfaqej gjithmonë i qetë, i matur në fjalë dhe i saktë në qëndrime, çka e bëri një prej figurave më të besueshme dhe të respektuara, si nga bashkëpunëtorët, ashtu edhe nga kundërshtarët politikë.
Trashëgimia që la pas
Artan Lame la pas një trashëgimi të pasur profesionale dhe njerëzore. Ai ishte një përfaqësues i denjë i shërbimit publik shqiptar, një mbrojtës i vlerave kombëtare dhe një intelektual që i dha zë çështjeve të rëndësishme për shoqërinë.
Humbja e tij është një boshllëk i ndjeshëm për të gjithë ata që e njohën, punuan me të, apo e dëgjuan si një zë të matur në hapësirën publike shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në veprat që la pas dhe në ndikimin që pati në jetën publike të vendit./Versus.al
U nda sot nga jeta, çfarë deklaroi Lame kur u dorëhoq nga drejtimi i Kadastrës: Po ia bëj vetes dhuratë për ditëlindje
Artan Lame, një prej figurave më të njohura të administratës shqiptare dhe pasionant i historisë, ndërroi jetë sot në Gjermani, në moshën 58-vjeçare, pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar në zemër.
Lame ishte larguar nga detyra si drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në vitin 2023 dhe në atë kohë, me një ton të qetë e reflektues, e quajti dorëheqjen e tij një “dhuratë për ditëlindje”, duke lënë të kuptohej se kishte nevojë të fokusohej tek shëndeti pas komplikacioneve që i kishin lindur që nga ndërhyrja e mëparshme në zemër, në mars të vitit 2016.
“Unë nesër kam ditëlindjen dhe pas 3-4 ditësh duhet të bëj vizitat për problemet shëndetësore që pata disa vite më parë. E konsideroj këtë tërheqje edhe si një dhuratë për ditëlindje, sepse vërtet duhet të kujdesem pak më shumë për veten”, deklaronte ai në atë kohë.
Largimi i parakohshëm i Lames përfaqëson një humbje të ndjeshme për botën institucionale dhe kulturore shqiptare. Ai u njoh për kontributin në administratë, por edhe për dashurinë e rrallë për historinë, ku renditej ndër koleksionistët më të apasionuar e të njohur në vend. Versus.al
View this post on Instagram
Ndërron jetë Artan Lame, Rama: E pabesueshme, jam pa fjalë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vdekjen e parakohshme të Artan Lames.
“I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët.”- shkruan Rama.
Ish kreu i Kadastrës ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar në zemër. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe shpresës së familjarëve, Lame ndërroi jetë pak çaste pasi kishte dalë nga gjendja e komës. Versus.al
E trishtë, shuhet në spitalin e Gjermanisë Artan Lame!
Është shuar në moshën 58-vjeçare Artan Lame. Ish kreu i Kadastrës ka ndërruar jetë në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar në zemër. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe shpresës së familjarëve, Lame ndërroi jetë pak çaste pasi kishte dalë nga gjendja e komës.
Figura e Artan Lames është e lidhur ngushtë me jetën publike shqiptare. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme në shtet, si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Legalizimeve dhe Kadastrës, ku la gjurmë me qasjen e tij institucionale dhe përkushtimin profesional.
Por Lame nuk ishte vetëm një funksionar i përkushtuar — ai ishte një pasionant i vërtetë i historisë. I njohur si një ndër koleksionistët më të mirë në Shqipëri, ai ishte një enciklopedi më vete e trashëgimisë shqiptare, një zë i veçantë që e trajtonte historinë me dashuri, respekt dhe finesë. Versus.al







